Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen italiane Giorgia Meloni, pasi sot është bërë qeveria më jetëgjatë që ka qëndruar në detyrë. Me anë të një postimi në X, Rama thekson se pas 1,413 ditësh në detyrë, ‘motra’ e tij Meloni bëhet kryeministrja që ka drejtuar qeverinë më jetëgjate në Itali.
“Giorgia, lexoj që nga sot je shefja më jetëgjatë e qeverisë në historinë e republikës italiane. Por vërtet, isha mësuar keq që vetëm unë po dilja jetëgjatë”, thotë Rama.
Gjatë mesazhit të urimit, Rama i propozoi asaj një sfidë tjetër, që të thyente rekordin që ka vendosur vetë Rama që drejton një qeveri që vijon prej 13 vitesh në detyrë.
“Tani ke vetëm një rekord për të thyer, atë timin”, përfundon Rama.
“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit.
E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza. Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak.
Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht. Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash.
Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë. Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare,” shprehet Rama.










Discussion about this post