Pas pushimeve verore, deputetët rikthehen nesër në Kuvend, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Seanca e parë plenare e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të do të mbahet në orën 17:00 dhe pritet të ketë kryesisht karakter ceremonial.
Puna parlamentare do të nisë që në orët e paradites me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e parashikuar në orën 11:00.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet dhe miratohet programi i punës së Kuvendit dhe kalendari i punimeve për periudhën e re parlamentare.
Një nga çështjet kryesore që pritet të dominojë debatin politik është reforma administrativo-territoriale. Partia Socialiste ka depozituar propozimin për ndryshimin e hartës së bashkive, me synim reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46.
Nisma është kundërshtuar nga opozita dhe nga përfaqësues të njësive vendore që preken nga bashkimet e propozuara.
Reforma pritet të jetë një nga përplasjet kryesore politike të këtij sesioni, ndërsa ndryshimi i hartës lidhet edhe me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në fokus do të jetë edhe reforma zgjedhore.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të diskutohen gjatë muajve në vijim, ndërsa puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore do të jetë një tjetër çështje në axhendën e Kuvendit.
Rikthimi i deputetëve në Parlament pritet të shoqërohet edhe me protestë.
Protestuesit kanë paralajmëruar grumbullim përpara Kuvendit gjatë nisjes së sesionit dhe kanë bërë thirrje për protesta me vezë dhe domate ndaj deputetëve.
Për mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë përreth Parlamentit pritet të merren masa nga Policia e Shtetit.
Kështu, sesioni i ri parlamentar nis me dy çështje të rëndësishme në tryezën e Kuvendit, reformën territoriale dhe atë zgjedhore, ndërsa përplasja politike pritet të shoqërohet edhe me protestën jashtë godinës së Parlamentit.










Discussion about this post