Agjencia e Mbikëqyrjes në sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka kryer së fundmi një kontroll në IEVP Shkodër, në të cilën është bërë sekuestrimi i një aparati celular dhe një sasie kanabisi.
Sipas njoftimit të AMSEP, në një dhomë në të cilën po vuan dënimin i burgosuri me iniciale S.Gj janë konstatuar këto sende, ndërsa është brë arrestimi në flagrancë i tij për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Njëkohësisht, në gjendje të lirë janë proceduar edhe persona të tjerë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe dy punonjës policie për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI:
“Në vijim të kontrolleve të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në IEVP të ndryshme të vendit, sot në datën 10.09.2026, në orët e para të mëngjesit është ushtruar kontroll në IEVP Shkodër, nga ku në dhomën ku vuan dënimin shtetasi i burgosur S.Gj., janë konstatuar 1 (një) aparat celular dhe 2 (dy) qese të tejdukshme, në brendësi të të cilave gjenden lëndë narkotike të dyshara të llojit cannabis sativa.
Në përfundim të kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP është kryer arrestimi në flagrancë i të burgosurit S. Gj., për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë:
1-Shtetasi i burgosur E. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
2-Shtetasi F. D. me detyrë punonjës policie në IEVP Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3-Shtetasi A. Ll. me detyrë punonjës policie në IEVP Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Materialet procedurale do dërgohen për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.










Discussion about this post