Kampionati shqiptar i futbollit, “Abissnet Superiore”, ul sot siparin e javës së katërt me dy ndeshje tejet interesante që pritet të dhurojnë spektakël dhe rivalitet.
Sipari i ditës do të ngrihet në orën 16:00, me sfidën mes Laçit dhe Vllaznisë. Të dyja skuadrat vijnë në këtë takim me “etjen” për t’u rikthyer te rezultatet pozitive dhe për të lënë pas zhgënjimin e javës së kaluar, ku kurbinasit u mposhtën me rezultatin 1-3 nga Teuta, ndërsa shkodranët pësuan një humbje të dhimbshme 2-3 në derbin ndaj Partizanit.
Ndërkohë, në mbrëmje, në orën 18:30, vëmendja zhvendoset në stadiumin “Elbasan Arena”, ku Elbasani do të presë Egnatian. Vendasit janë ende në kërkim të dëshpëruar për fitoren e tyre të parë në këtë kampionat, pasi deri tani numërojnë vetëm dy barazime dhe një humbje (të pësuar javën e kaluar ndaj Dinamos). Megjithatë, përballë nuk do të kenë një kundërshtar të lehtë. Rrogozhinasit e Egnatias zbresin në fushë me qëllimin e qartë për të ruajtur ritmin pozitiv dhe për të siguruar një tjetër fitore, duke u mbështetur te morali i lartë pas suksesit të javës së kaluar kundër Skënderbeut.
gijotina.com/










Discussion about this post