Duke komentuar operacionin ku u zbuluan 42 kilogramë kokainë, eksperti i kriminalistikës Ervis Karamuço deklaroi se trafiku i drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë është konsoliduar prej vitesh.
Sipas tij, ndër vite në Shqipëri kanë hyrë sasi të konsiderueshme droge përmes formave të ndryshme të transportit, ndërsa kokaina e pastër është përpunuar më pas në territorin shqiptar dhe është shpërndarë drejt vendeve të tjera europiane.
“Ne kemi bllokuar importet nga Brazilit. Autoritetet mbi kontrollet e ushqimet së fundmi kanë marrë një vendim dhe kanë bërë bllokimin e të gjitha prurjeve, nuk e di çfarë ngarkesë është kjo dhe çfarë afati është lënë për kontratat e fundit.
Ka një trafik ndër vite të konsoliduar nga Amerika Latine. Më së shumti kanë qenë sasitë e drogave që kanë hyrë në Shqipëri, plehu kimik dhe forma nga më të ndryshme, në të cilat është futur kokainë e pastër, e cila më pas është përpunuar në territorin shqiptare dhe më pas është shpërndarë në disa linja trafikimit pastaj në qytetet evropiane”, tha ai.
Karamuço vuri gjithashtu në dukje se ka një shtim të kontrolleve policore në Portin e Durrësit, duke e cilësuar këtë si një “rizgjim” të angazhimit të institucioneve në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike.
“Ka një rizgjim të angazhimit të policisë në kontrollin për doga të forta në Portin e Durrësit, një port, i cili duhet thënë që për disa vite ka qenë jashtë vëmendjes së Policisë së Shteti dhe institucioneve të tjera. Nuk mund ta them se kush kanë qenë shkaqet”, tha ai.
Duke iu referuar sasisë së sekuestruar në Portin e Durrësit, Karamuço tha se mund të bëhet fjalë për një ngarkesë fillimisht më të madhe, e cila mund të jetë shpërndarë edhe në vende të tjera.
Në përfundim, eksperti ngriti shqetësimin për rritjen e konsumit të drogave të forta në vend, veçanërisht të kokainës, duke deklaruar se Shqipëria po shkon drejt një rritjeje të ndjeshme të konsumit.
“Do ketë qenë një ngarkesë shumë më e madhe, e cila mund të jetë shpërndarë edhe në vendet e tjera. Mendoj se janë për tregun e brendshëm, 41 kilogramë janë për përpunim dhe për treg, sepse nuk ka leverdi për tregti ndërkombëtare. Po shkojmë drejt trefishimit të konsumit të drogave të forta, sidomos kokainës në Shqipëri“, tha ai në emisionin “Ora e Fundit”.










Discussion about this post