Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi e ka cilësuar vendimin “të pabesueshëm” dhe “të papranueshëm”, ndërsa e ka përshkruar 16 shtatorin si një ditë të rëndë për shqiptarët.
Deputeti demokrat pretendon se vendimi përbën një padrejtësi, ndërsa shprehet se shqiptarët do të dalin më të fortë pas tij.
Bardhi ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se vendimi ndaj ish-drejtuesve të saj nuk mund të cenojë, sipas tij, karakterin e luftës së UÇK-së.
“E pabesueshme!
E papranueshme!
Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj padrejtësie dhe turpi të njerëzimit!
Përjetësisht me UÇK-në!”, shkruan Bardhi.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta komentojë vetëm me një fjalë vendimin e dhënë: Marrë!
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator në Hagë. Procesi gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së kishte nisur në prill të vitit 2023.










Discussion about this post