Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vjedhjeve të 16 lokaleve në Tiranë, akte këto të kryera gjatë muajve gusht dhe shtator.
I arrestuari, E. Gj., 34 vjeç, ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim.
Autori thyente derën e lokaleve duke u futur me forcë në ambientet e brendshme të tyre për t’i grabitur.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve nga administratorë lokalesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, për vjedhje me thyerje në subjekte, të produkteve dhe shuma të parave, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2, Nr. 3 dhe Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Broken Door”, gjatë të cilit u ndalua nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1, autori i dyshuar i 16 prej këtyre rasteve, shtetasi E. Gj., 34 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se i ndaluari, gjatë periudhës gusht-shtator 2026, ka vjedhur me thyerje, shuma parash dhe produkte, në 8 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 2, në 4 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 3, në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 1 dhe në 2 lokale në territorin në juridiksionin e Komisariatit Nr. 4.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Hetimet vijojnë për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimtarinë kriminale të shtetasit E. Gj., në fushën e vjedhjeve”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.










Discussion about this post