Ndërsa Kuvendi po shqyrton projektligjin e mazhorancës për formulën e re të llogaritjes së tyre. Bordi i Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve (EAJ) shprehet “thellësisht i shqetësuar” për zhvillimet në Shqipëri dhe akuzon ligjvënësin se po përpiqet të anashkalojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja lidhet me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. EAJ rikujton se Kushtetuesja shpalli antikushtetues sistemin ekzistues të pagave dhe i dha Kuvendit një afat për ndryshimin e ligjit. Gjykata përcaktoi gjithashtu se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi nuk vepronte brenda këtij afati. Sipas EAJ-së, kjo nuk u respektua: pagesa që rezultonte nga vendimi i Kushtetueses u refuzua dhe ndërkohë në Kuvend u paraqit një projektligj i ri që parashikon rillogaritjen e pagave edhe për periudhën e kaluar.
“Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve (EAJ) shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15/2026, e shpalli antikushtetues sistemin ekzistues të pagave për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e tjerë të gjykatave dhe urdhëroi ligjvënësin të ndryshojë dispozitat përkatëse, në përputhje me udhëzimet e saj, brenda një afati të caktuar. Gjykata përcaktoi gjithashtu se cilat dispozita duhet të zbatohen në rast se ligjvënësi nuk vepron. Jo vetëm që këto udhëzime nuk u respektuan dhe u refuzua pagesa e shumës së përcaktuar nga gjykata, por në Parlament u paraqit edhe një projektligj që parashikon rillogaritjen me efekt prapaveprues të pagave në fjalë”, thuhet në reagim.
EAJ thotë se, nëse drafti miratohet, formula e re do të zëvendësonte edhe për periudhën e kaluar rregullimin që kishte hyrë në fuqi si pasojë e vendimit të Kushtetueses. Sipas Shoqatës, formula e re paraqet probleme të ngjashme me atë që Kushtetuesja kishte shpallur antikushtetuese.
“Nëse ky projektligj miratohet, ai jo vetëm do të shfuqizonte rregullimin që buronte drejtpërdrejt nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por do të vendoste gjithashtu, me efekt prapaveprues, një metodë llogaritjeje që duket po aq problematike sa ajo që gjykata e shpalli antikushtetuese. Me pak fjalë, ligjvënësi po përpiqet të anashkalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, deklaron EAJ.
Sipas Shoqatës Europiane të Gjyqtarëve problemi është nëse një vendim gjyqësor përfundimtar dhe detyrues mund të ndryshohet në praktikë nga një pushtet tjetër. EAJ argumenton se zbatimi i vendimeve gjyqësore është pjesë themelore e shtetit të së drejtës dhe se një vendim detyrues i një gjykate nuk mund t’i nënshtrohet ndryshimit apo miratimit nga një autoritet jogjyqësor.
“Zbatimi efektiv i vendimeve gjyqësore, që buron nga natyra e tyre detyruese, është një element themelor i shtetit të së drejtës. Vetë koncepti i një gjykate të pavarur, i parashikuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nënkupton se një gjykatë ka autoritetin të japë një vendim detyrues, i cili nuk mund t’i nënshtrohet ndryshimit, miratimit apo ratifikimit nga asnjë autoritet jogjyqësor”, vijon deklarata.
Për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, EAJ shkon edhe më tej, duke argumentuar se moszbatimi i tyre është i barasvlershëm me shkeljen e vetë Kushtetutës.
“Sa i përket posaçërisht zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, karakteri i tyre përfundimtar dhe detyrues buron domosdoshmërisht nga epërsia e Kushtetutës. Këto vendime duhet të respektohen nga të gjitha autoritetet publike dhe individët. Moszbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është i barasvlershëm me shkeljen e vetë Kushtetutës.”
Për këtë arsye, EAJ vlerëson se ajo që po ndodh me pagat e magjistratëve nuk është vetëm një mosmarrëveshje financiare.
“Nga kjo pikëpamje, zhvillimet e përmendura më sipër cenojnë shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe ekuilibrin e pushteteve. Ato gjithashtu minojnë besimin te shteti dhe te reformat pozitive të sistemit gjyqësor në Shqipëri, të cilat deri më tani janë arritur me përpjekje të mëdha.”
EAJ paralajmëron gjithashtu se çështja nuk do të mbetet vetëm brenda Shqipërisë. Bordi njofton se do të mbështesë Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, do ta vendosë çështjen në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme që zhvillohet në tetor në Lisbonë dhe do të informojë aktorët ndërkombëtarë dhe europianë.
“Për këtë arsye, Bordi i EAJ-së shpreson që ky regres i propozuar të mund të parandalohet. Ai do të mbështesë anëtaren e tij, Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, në përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi, do ta vendosë këtë çështje në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme, e cila do të zhvillohet në tetor në Lisbonë, dhe do të informojë aktorët përkatës ndërkombëtarë dhe evropianë për situatën alarmante në Shqipëri.”
gijotina.com/










Discussion about this post