Një dokument i Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, që ndodhet në duart e autoriteteve greke dhe tashmë është bërë publik, hedh dritë mbi momentet e transportimit të Giorgos Mazonakis drejt spitalit, ndërsa dy mjekët e përfshirë në rast, Ilias Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka, ndodhen në paraburgim.
Dokumenti përmban vëzhgimet e ekipit të EKAB-it gjatë marrjes së pacientit në klinikë dhe transferimit të tij më pas në spitalin “Elpis”.
Një nga shënimet e procesverbalit thekson se “mjekët në vendngjarje refuzuan të jepnin informacion në lidhje me pacientin”.
Sipas dokumentit, mjekët nuk kanë dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të Mazonakis dhe trajtimin që i ishte bërë përpara mbërritjes së ekipit të urgjencës. Kjo pjesë e dokumentit përkon edhe me dëshminë e një ndihmësmjekeje, e cila ka dhënë deklaratë para autoriteteve hetimore. Sipas saj, kur mbërriti ekipi i EKAB-it, mjekët e klinikës nuk treguan se çfarë trajtimi i ishte bërë pacientit.
Ndihmësmjekja ka deklaruar se një mjeke i tha ekipit vetëm se pacienti kishte mbërritur në klinikë për të marrë trajtim, pa specifikuar natyrën e trajtimit.
Më tej, sipas dëshmisë, pasi pacientit iu vendos një linjë intravenoze, ai pësoi arrest kardiak.
Në dokumentin e transportit të EKAB-it thuhet se Mazonakis u mor nga ekipi pa frymëmarrje dhe pa puls. Dokumenti është tashmë pjesë e materialeve që po shqyrtohen nga autoritetet në hetimin për rrethanat e vdekjes së tij.










Discussion about this post