Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës Fier, Ertis Shehu, 46 vjeç, dhe Ervin Habilajn, 49 vjeç, të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe përfitim të paligjshëm pronash.
Ndërkohë, për Emiljano Rukon, 40 vjeç, ish-topograf pranë ASHK-së Fier, është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Sipas hetimeve, tre personat dyshohet se kanë bashkëpunuar për regjistrimin e rreth 71.7 hektarëve tokë në Levan dhe Dërmenas, përmes dokumenteve që dyshohet se janë të falsifikuara.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar gjithashtu 715,976 euro në llogarinë bankare të Habilajt.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë nisi të shtunën rreth orës 16:00 dhe zgjati disa orë, duke përfunduar rreth orës 19:30.
Gjatë seancës, gjyqtarja Bora Shahilli dëgjoi fillimisht pretendimet e prokurorës së çështjes, Iva Hoxha, dhe më pas qëndrimet e avokatëve mbrojtës të personave nën hetim.
Në përfundim, gjykata vendosi “arrest në burg” për ish-kreun e Kadastrës Fier, Ertis Shehu, dhe Ervin Habilajn, ndërsa për topografin Emiljano Ruko vendosi masën “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Sipas akuzës, Ruko dyshohet se ka përgatitur dokumentacionin e përdorur në procedurën për regjistrimin e sipërfaqeve të tokës.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe të mënyrës se si janë regjistruar pronat.
Të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.










Discussion about this post