Një protestuese, gjatë tubimit para Kryeministrisë, ka adresuar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Parlamentit, duke e lidhur situatën aktuale në vend me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Ndryshimet e Kushtetutës në 2008 na sollën këtu ku jemi”, u shpreh ajo, ndërsa vijoi me një apel drejtuar deputetëve.
“Dua t’i them Parlamentit: Nuk na përfaqësoni. Keni miratuar ligje që kanë dëmtuar kombin dhe të ardhmen. Jemi në shesh për t’ju thënë që Shqipëria është e jona dhe e shqiptarëve”, deklaroi protestuesja.
Ajo u ndal edhe te largimi i të rinjve dhe fëmijëve nga vendi, duke thënë se kjo është një prej dëshmive që qytetarët e shohin çdo ditë dhe se nuk ka nevojë për statistika për ta kuptuar situatën.
“Nuk kemi nevojë për statistika, na mjafton që kemi parë të rinjtë dhe fëmijët që janë larguar. Janë larguar sepse nuk kanë gjetur vendin e duhur, pavarësisht arsimimit”, tha ajo.
Në përfundim, protestuesja përsëriti mesazhin e saj se Shqipëria u përket qytetarëve të saj: “Shqipëria është e jona.”
Ajo ka treguar gjithashtu atë që kanë ofruar bizneset të bëjnë për t’iu bashkuar protestës.
“Kudo shkojmë në Shqipëri dëgjojmë bizneset që thonë ‘jemi me ju dhe protestën jemi të gatshëm ta çojmë një hap më lart, të ulim qepenët të mos punojmë, të mos paguajmë taksat, të mbyllim bizneset gjatë ditësh, që administrata të mos ketë mundësi t’u trokasë në dyer’. Kur biznesi e ofron vetë këtë gjë imagjinoni ku kanë arritur. Me zor arrijnë plotësojnë pagat e punonjësve”, tha ajo.










Discussion about this post