Aktivistja Arvina Lleshi ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 24 shtatorit para Parlamentit, duke kundërshtuar projektligjet që, sipas saj, prekin zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.
Ajo u shpreh se ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht pushtetit, pasurisë apo pozitës që mbajnë.
“Ligji nuk është bërë vetëm për qytetarin e thjeshtë, ligji është bërë për të gjithë. Edhe për atë që ka pushtet, për atë që ka lekë, që ka lidhje, edhe për atë që ulet në zyrën më të madhe të shtetit”, deklaroi ajo.
Aktivistja u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë më 24 shtator para Parlamentit, ku siç tha ajo, deputetët do votojnë projektligjet antishqiptare për zonat e mbrojtura, për Paketën e Maleve dhe për investimet strategjike.
“Më datë 24 shtator, ju ftoj të gjithë qytetarët të jeni para parlamentit. Për t’i thënë edhe një herë që nuk na përfaqësoni“, përfundoi ajo.
Aktivistja Arvina Lleshi: Ligji nuk është bërë vetëm për qytetarin e thjeshtë, ligji është bërë për të gjithë. Edhe për atë që ka pushtet, për atë që ka lekë, që ka lidhje, edhe për atë që ulet në zyrën më të madhe të shtetit. A e dini që në Shqipëri ligjet i bëjnë ata që nuk dinë të lexojnë, të artikulohen dhe jo më të bëjnë ligje? Të enjten, më 24 shtator, pritet të votohen në parlament projektligjet antishqiptare për zonat e mbrojtura, për Paketën e Maleve dhe për investimet strategjike.
Unë ju ftoj që t’i lexoni vetë, shikoni çfarë ndryshojnë, kush përfiton dhe çfarë i mbetet qytetarit në fund. Duhet të jetë e qartë, Shqipëria nuk është e qeverisë, nuk është e një grushti njerëzish që sot janë në pushtet dhe nesër mund të mos jenë. Shqipëria është e jona, është e njerëzve që punojnë çdo ditë, është e atij që zgjohet në 5 të mëngjesit për të shkuar në punë, është e fermerit, është e mësuesit, është e mjekut, studentit, emigrantit që ka ikur nga halli dhe jo nga dëshira. Është e çdo shqiptari që do të jetojë me dinjitet në vendin e vet.
Ne, më të vërtetë, mund të kemi bindje të ndryshme, por për disa gjëra duhet të jemi të gjithë bashkë. Për drejtësinë, për pronat dhe për natyrën. Për institucionet që respektojnë qytetarin, për një shtet ku ligji nuk ndryshon sipas emrit që ke. Më datë 24 shtator, ju ftoj të gjithë qytetarët të jeni para parlamentit. Për t’i thënë edhe një herë që nuk na përfaqësoni.










Discussion about this post