Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë, ndërsa policia po punon në disa drejtime për të identifikuar autorët dhe për të zbuluar motivin e atentatit.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra. Numri i të shtënave është një nga elementët që po analizohet nga grupi hetimor për të rindërtuar dinamikën e plotë të sulmit dhe mënyrën se si kanë vepruar autorët.
Hetuesit kanë marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin kur ndodhi vrasja. Dëshmitë e tyre po verifikohen për të përcaktuar nëse kanë parë lëvizje të dyshimta përpara ose menjëherë pas atentatit, si dhe për të siguruar të dhëna që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit është përqendruar te kamerat e sigurisë. Policia ka mundur të aksesojë dhe të hapë pamjet e një pjese të kamerave të qytetit, të cilat po analizohen për të gjurmuar lëvizjet e autorëve dhe itinerarin që mund të kenë përdorur për t’u larguar pas krimit.
Megjithatë, jo të gjitha kamerat që mund të kenë regjistruar lëvizje me interes për hetimin janë aksesuar deri tani. Për këtë arsye, puna për sigurimin e pamjeve të tjera vijon, ndërsa materialet e mbledhura deri më tani po analizohen nga ekspertët.
Në të njëjtën kohë, kontrollet janë përqendruar edhe në akset dalëse të Sarandës. Postblloqe janë ngritur në disa pika, ndërsa po kryhen verifikime për persona dhe automjete që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Sa i përket motivit, hetuesit ende nuk kanë dalë në një përfundim. Një nga pistat që po verifikohet është mundësia që atentati të jetë kryer nga vrasës me pagesë.
Në sitën e hetuesve ka hyrë gjithashtu edhe një konflikt i mëparshëm. Po verifikohet nëse ekzekutimi i Artan Myrtajt mund të jetë pjesë e vazhdimit të përplasjeve të nisura pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar, kur Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj mbetën të plagosur me armë zjarri.
Lidhja mes dy ngjarjeve mbetet për momentin vetëm një nga drejtimet që po verifikohen dhe nuk është konfirmuar nga policia.
Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa deri tani nuk ka një version zyrtar për motivin e vrasjes. Autorët e atentatit mbeten të paidentifikuar dhe kërkimet për kapjen e tyre vazhdojnë.










Discussion about this post