Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi në mbledhjen e Kryetarëve është shprehur se PD është kundër projekt-kalendarit, ndërsa ka shtuar se nuk duhet të përfshihet Reforma Territoriale.
Gjithashtu ai ka bërë thirrje që të vazhdojë procesi i konsultimit publik.
“Partia Demokratike është kundër këtij kalendari që keni paraqitur. Ju keni përfshirë për diskutim projektligjin për Reformën Territoriale. Kjo është një çështje e papranueshme për shumë faktorë. Së pari, nuk mund të kaloni një reformë kaq të rëndësishme pa konsensusin e opozitës. Gjithashtu, ju zhvilluat një proces tallës me shqiptarët.
Ngritët një komision, ndërkohë që ndarjen e kishit në tavolinë dhe e kishit të gatshme. Sot e sillni këtë çështje këtu, të përfshirë në kalendar. Edhe ajo që po bëni sot është një tallje dhe shkelje e Kushtetutës, pasi aktualisht ka një proces konsultimi publik, ndërsa ju parashikoni diskutimin e projektligjit në komisione. Prandaj, ne jemi kundër”, ka thënë ai.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka përfunduar pa dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës për kalendarin e punës së Kuvendit. Në kalendarin e propozuar ishte parashikuar që më 8 tetor të kalojë për shqyrtim dhe votim në seancë plenare reforma territoriale.
Por kjo gjë është kundërshtuar nga opozita, e cila u shpreh se konsultimet për këtë proces ende nuk kanë përfunduar. Më tej, ajo kërkoi që procesi konsultues të mbyllet përpara se nisma të kalojë për votim në Kuvend.
Në lidhje me këtë, pasi nuk u arrit një dakordësi, çështja e kalendarit të punës së Kuvendit dhe e datës së shqyrtimit të reformës territoriale në seancë plenare, vijon të mbetet e hapur.










Discussion about this post