Përplasja mes avokatëve dhe GJKKO-së për rregulloren e re ka kaluar te gjobat. Mbi 10 avokatë janë ndëshkuar me nga 50 mijë lekë pasi vijuan bojkotin e seancave gjyqësore.
Vendimi është marrë gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.
Në seancën ku SPAK pritej të lexonte pretencën, avokatët e të pandehurve nuk u ulën në vendet e rezervuara për mbrojtjen, por qëndruan në pjesën e sallës të përcaktuar për publikun.
Me këtë veprim ata iu përmbajtën vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot pa afat, të ndërmarrë në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re të GJKKO-së.
Avokatët pretendojnë se rregullorja është antikushtetuese dhe krijon pengesa në ushtrimin e profesionit të tyre, ndaj kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Trupa gjykuese, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, reagoi duke vendosur gjoba prej 50 mijë lekësh për secilin prej mbi 10 avokatëve. Mes të gjobiturve janë si mbrojtës të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu edhe avokatë të caktuar kryesisht.
Vendosja e gjobave shënon një tjetër përshkallëzim të përplasjes për rregulloren e re, ndërsa bojkoti i avokatëve vijon pa afat.










Discussion about this post