Detaje të reja dalin kanë dalë në dritë nga operacioni i SPAK dhe BKH-së, i zhvilluar mëngjesin e kësaj të marte në disa qytete të vendit në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “AKSHI” dhe personazhe të përfshirë në hetimin ndaj biznesmenit Ergys Agasi.
Burime për mediat bëjnë me dije se përpos kontrolleve të kryera në mëngjes, kontrolle janë kryer dhe në Shkozet të Durrësit, ku 8 furgona policie dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe të RENEA-s janë angazhuar në kontrolle për gati 2 orë.
Kontrolli në zonë ka zgjatur rreth dy orë, dhe është përqëndruar në një lokal, që dyshohet se ka shërbyer si bazë për Ergys Agasin, veçanërisht gjatë 8 muajve të fundit, kur ai ka qenë në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës, ndërkohë që në pranga ka rënë dhe menaxheri i restorantit, shtetasi Embro Sulejmani. Restoranti është përmendur më herët publikisht nga kreu i PD-së, Sali Berisha, si një prej vendeve ku, sipas pretendimeve të tij, Ergys Agasi zhvillonte takime me persona nga politika dhe bota e krimit.
Një tjetër element që po verifikohet nga hetuesit është dyshimi se Agasi mund të ketë qëndruar në zonën e Shkozetit gjatë periudhës që ishte në kërkim.
Në operacionin e sotëm, përveç masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, janë raportuar edhe masa të tjera sigurie, mes tyre ndaj Fatjon Kallucit, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanit.










Discussion about this post