Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas masave të SPAK ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Në një reagim nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama tha se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe të zbardhet përmes procesit gjyqësor.
Kryeministri theksoi se drejtësia duhet të hetojë dhe gjykojë këdo, pavarësisht funksionit publik apo statusit, ndërsa nënvizoi se përgjegjësia penale është individuale.
Rama: Askush nuk është mbi ligjin
Rama tha se, pavarësisht respektit për punën e Vlora Hysenit dhe vlerësimeve që, sipas tij, ajo ka marrë nga agjencitë partnere gjatë drejtimit të SHISH, vendimi për të vijuar me masat e drejtësisë duhet të respektohet.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkroi kryeministri.
Ai deklaroi gjithashtu se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë dhe nuk do të bëjë “avokatinë” e askujt që përballet me organet ligjzbatuese.
Rama kritikoi ndërkohë reagimet politike dhe mediatike që, sipas tij, i paraprijnë vendimeve të gjykatave, duke argumentuar se çdo person duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar.
Drejtuesi i ri i SHISH
Kryeministri njoftoi se lirimi nga detyra i drejtoreshës së SHISH është i menjëhershëm. Ai tha se, pas kthimit në Tiranë, në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjidhet drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi”, deklaroi Rama.
Masat ndaj Vlora Hysenit
Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra më 22 shtator dhe u vendos nën masën e “arrestit në shtëpi”.
Sipas akuzës së SPAK, Hyseni dyshohet për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “nxjerrjes së sekreteve shtetërore”.
Sipas një burimi në dijeni të çështjes, masat ndaj drejtueses së SHISH lidhen me hetimin që Prokuroria e Posaçme po zhvillon ndaj Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Hetimi dhe përgjegjësia penale e personave të përfshirë do të përcaktohen nga organet e drejtësisë.










Discussion about this post