Ambasadori i ri i SHBA-së, Eric Wendt nis këtë të shtunë misionin e tij diplomatik në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila u largua nga Tirana në qershor të vitit 2023.
Në orën 11:00, Wendt do të pritet nga Presidenti Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Pas ceremonisë, të dy do të zhvillojnë edhe një takim kokë më kokë.
Që prej largimit të Yuri Kim, drejtimi i misionit diplomatik amerikan në Tiranë është mbajtur nga Nancy VanHorn, në cilësinë e të ngarkuarës me punë.
I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht, Eric Wendt mbërrin në Shqipëri me një karrierë të gjatë në fushën ushtarake dhe të sigurisë.
Wendt ka më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe të karrierës në Forcat Speciale “Green Berets”. Ai ka drejtuar gjithashtu Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Gjatë dëgjesës së 20 majit në Senat, ambasadori i ardhshëm amerikan bëri të qarta edhe prioritetet e mandatit të tij në Shqipëri. Në fokus do të jenë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe siguria kibernetike.
Wendt shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për SPAK, duke vlerësuar bashkëpunimin e Strukturës së Posaçme me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Sipas tij, puna e SPAK mbetet kyçe për sa kohë institucioni ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.
Pas marrjes së detyrës, Wendt do të zhvillojë më 2 tetor edhe pritjen zyrtare, ku pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët.










Discussion about this post