Protesta e tretë e banorëve të Burimasit në Maliq kundër projektit për furnizimin me ujë të Zvezdës është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Banorët kanë bllokuar rrugën e fshatit, duke mos lejuar kalimin e mjeteve të rënda të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime. Ata kundërshtojnë ndërhyrjen në burimin që, sipas tyre, siguron furnizimin me ujë të Burimasit.
Gjatë përplasjeve, një protestues ka humbur ndjenjat. Banorët kanë kërkuar menjëherë ndihmën e ambulancës, ndërsa më pas protestuesi ka deklaruar se gjendja e tij ishte shkaktuar nga tensioni dhe se tani ndihej mirë.

Për banorët, zgjidhja për Zvezdën duhet të kërkohet diku tjetër. Ata shprehen se nuk do të pranojnë që burimi i fshatit të përdoret për të furnizuar një tjetër zonë.
Debatet janë përshkallëzuar në momentin e ndërhyrjes së policisë për lirimin e rrugës dhe vijimin e punimeve. Banorët kanë kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit, ndërsa kanë deklaruar se do të vijojnë protestat.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime jep një tjetër version. Sipas saj, projekti është pjesë e një skeme rajonale dhe nuk parashikon dëmtimin e furnizimit të Burimasit.
Thoma Koroveshi, drejtues i njësisë së projektimit dhe zhvillimit të standardeve, sqaron se depoja e Burimasit, me kapacitet 200 metër kub, ishte ndërtuar fillimisht për Burimasin dhe Ormanin. Me zgjidhjen e furnizimit të Ormanit përmes një investimi të mëparshëm, kapaciteti i liruar është parashikuar të shërbejë për furnizimin e Zvezdës.
Por argumenti i institucioneve nuk i ka bindur banorët. Ata thonë se janë të gatshëm të presin për zgjidhjen e problemit të ujit në Zvezdë, por jo në kurriz të fshatit Burimas.










Discussion about this post