Shqipëria ka bërë detyrën ndaj San Marinos në ndeshjen e Ligës së Kombeve, duke fituar me shifrat 0-3 në transfertë, në një sfidë të kontrolluar nga kuqezinjtë, të cilët realizuan nga dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në fraksionin e dytë.
Kuqezinjtë e nisën takimin në mënyrë kërkuese dhe që në minutat e para u vendosën në gjysmëfushën e San Marinos. Muçi dhe Asllani provuan nga distanca, ndërsa portieri vendas u detyrua të ndërhynte në disa raste.
Goli i avantazhit erdhi në minutën e 21-të. Pas një goditjeje nga këndi, Manaj devijoi topin drejt shtyllës së dytë, ku Mehmeti u shfaq në momentin e duhur dhe e shtyu sferën në rrjetë për 0-1.
Shqipëria vijoi të sulmonte dhe vetëm gjashtë minuta më vonë gjeti edhe golin e dytë. Në minutën e 27-të, pas një goditjeje dënimi të Manajt, portieri i San Marinos grushtoi topin, por sfera përfundoi te Uzuni, i cili gjuajti menjëherë dhe realizoi. Goli u kontrollua për rreth dy minuta nga VAR-i, përpara se të konfirmohej.
Pas avantazhit të dyfishtë, Shqipëria uli disi ritmin dhe i dha më shumë hapësira kundërshtarit. San Marino provoi të afrohej pranë portës së Sherrit, por pa krijuar raste të pastra për gol.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-2. Në fraksionin e dytë, San Marino e nisi më mirë dhe në minutën e 57-të pati një rast të rrezikshëm, por Sherri reagoi shpejt dhe devijoi topin jashtë.
Shqipëria nuk vonoi të rikthehej te kontrolli i lojës dhe në minutën e 65-të shënoi edhe golin e tretë. Pas një goditjeje këndi, topi përfundoi te Manaj, i cili në tentativën e dytë mposhti portierin vendas dhe vulosi rezultatin në 0-3.
Në vazhdim, trajneri Maran bëri disa zëvendësime, duke u dhënë minuta edhe lojtarëve të tjerë. Hoxha pati një mundësi për të shënuar, ndërsa San Marino provoi të reagonte, por pa mundur të ndryshonte rezultatin.
Në minutën e 80-të, Hasa zëvendësoi Mehmetin, ndërsa ndeshja u mbyll me fitoren 0-3 të Shqipërisë. Shqipëria e mbylli kështu takimin me një fitore të pastër, duke ruajtur portën e paprekur dhe duke realizuar tri gola në transfertë.
Në ndeshjen tjetër të grupit Finlanda dhe Bjellorusia barazuan pa gola, duke i dhënë mundësinë Kombëtares sonë që pas kësaj fitoreje të marrë kreun e grupit.
REZULTATI
San Marino-Shqipëri 0-3
Mehmeti 21′, Uzuni 27′, Manaj 65′
65’ Goool Shqipëria 0-3! Rey Manaj arrin të finalizojë pas dy tentativave si duhet një aksion të kuqezinjve, që kërkojnë ta kthejnë në festival golash. (Video)
27’ Goool Shqipëria 0-2! Të pandalshëm kuqezinjtë, që shënojnë të dytin me Myrto Uzunin, i cili shtyn në rrjetë topin e kthyer nga portieri pas gjuajtjes së Manajt. (Video)
21’ Goool Shqipëria 0-1! Manaj e ul me kokë dhe Anis Mehmeti përfiton nga një hezitim në zonë dhe tund rrjetën për të kaluar kuqezinjtë në avantazh. (Video)
gijotina.com/









Discussion about this post