Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimet e dhëna nga GJKKO për Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin, të akuzuar për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në kuadër të një dosjeje që lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine drejt Zvicrës.
Gëzim Bakalli u dënua fillimisht me 19 vite burgim, ndërsa Erjon Loci me 12 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimet u reduktuan përfundimisht në 12 vite e 8 muaj burg për Bakallin dhe 8 vite burg për Locin.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal vepronte gjatë viteve 2018-2024, duke siguruar sasi të konsiderueshme narkotikësh, kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania, për t’i trafikuar dhe shitur më pas në Zvicër dhe vende të tjera.
Sipas akuzës, Gëzim Bakalli kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të grupit dhe akuzohet për përfshirje në disa episode të trafikimit të narkotikëve. Ndërsa Erjon Loci akuzohet se ka ndihmuar në transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në territorin zviceran.
Në shkurt, GJKKO i dënoi dy shqiptarët me 31 vite burgim në total. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i tyre është 20 vite e 8 muaj burgim.
Me vendimin e fundit, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimet e dhëna nga shkalla e parë.










Discussion about this post