Protesta qytetare ka vijuar para Kryeministrisë edhe pas përfundimit të vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndërsa nga podiumi protestuesit kanë kritikuar qëndrimin e saj gjatë vizitës në Tiranë.
Aktivisti Lizandër Saraçi, gjatë fjalës së tij, deklaroi se protestuesit e kishin pritur me interes mbërritjen e Von der Leyen, por u shpreh i zhgënjyer që ajo, sipas tij, nuk dëgjoi zërin e qytetarëve që protestonin jashtë Kryeministrisë.
“Von der Leyen erdhi këtu sot dhe ne e pritëm me padurim, por ajo erdhi të bëhet palë me hajdutët e t’i bëjë furçë qeverisë. Nuk denjoi të dëgjonte shqiptarët. Turp ajo që ndodhi sot, që nuk na dëgjoi”, deklaroi Saraçi.
Aktivisti shkoi më tej me kritikat ndaj presidentes së Komisionit Europian, duke deklaruar se ajo duhet të mbajë përgjegjësi për qëndrimin e mbajtur.
“Do të vijë dita që të japë llogari për këtë gjë”, tha ai.
Saraçi theksoi se protestuesit mbështesin integrimin europian të Shqipërisë, por kërkojnë që ai të lidhet me respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian.
“Ne nuk e duam BE-në për letra, por për vlera”, përfundoi Saraçi.
Pas fjalimeve te Kryeministria ka nisur edhe marshimi në rrugët e Tiranës. Marshimi edhe mbrëmjen e sotme kryeson nga studentët.
Qytetarët vijuan me thirrjet “arrestoni Ramën”, “arresto Ballukun”, “Shqipëria kërkon revolucion”.
Më herët u zhvillua edhe takimi i Presidentes së Komisionit Europian Von der Leyne me kryeministrit Edi Rama, ndërsa qytetarët u organizuan në lokacione të ndryshme të Bulevardit për shkak se nuk u lejuan nga policia të mbanin tubimin para sheshit të Kryeministrisë.
Discussion about this post