Deputeti i PD, Bardh Spahia, ka reaguar ndaj propozimit për të mos vuajtur dënimin me burg për veprat që dënohen deri në 5 vite.
“Burg për të pamundurit, liri për të korruptuarit. Paniku i një pushteti në rënie”, shkruan Spahia, duke e cilësuar nismën, një përpjekje për t’u krijuar rrugë shpëtimi ligjor personave të përfshirë në korrupsion.
Ai kërkon që, krahas ndëshkimit penal, të sekuestrohen edhe pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme.
Reagimi i plotë:
Burg për të pamundurit, liri për të korruptuarit.
Paniku i një pushteti në rënie.
E mbani mend vitin 2013? “Burg për të gjithë!” ishte refreni i përditshëm mbasi u mor pushteti, me kriminelë nga mbarë Shqipëria. Sot, i njëjti njeri del dhe propozon “Nuk ka burg për dënimet deri në 5 vite”. Çfarë ndryshoi?
Papritur u bë human? Jo!
E vërteta është e qartë si drita e diellit. Rrethi po ngushtohet. Enturazhi i tij është i zhytur deri në fyt në korrupsion dhe tani po kërkohet me dëshpërim një rrugë shpëtimi ligjor për vete dhe oborrtarët e kapur në vjedhje. Ky nuk është një akt mëshire për qytetarët e thjeshtë që kalben burgjeve për mospagim dritash, por një mburojë e porositur për abuzuesit e qeverisë.
Mundohet t’i shpëtojnë qelisë me ligje të qepura me porosi, por ta harrojnë se do të shpëtojnë pasuritë e vjedhura! Vilat e luksit, pronat e grabitura dhe llogaritë offshore nuk mund t’i mbrojë asnjë amnisti. Nëse drejtësia është e vërtetë do duhet të godasë pikërisht aty ku u dhemb më shumë: te xhepi! Po, pikërisht ku ata kanë goditur çdo shqiptar. Çdo qindarkë e vjedhur duhet t’u kthehet qytetarëve, sepse sekuestroja e pasurive do të jetë burgu i tyre i përjetshëm që nuk e shmangin dot!
Shqiptarët nuk mund të pranojnë një drejtësi me dy standarde. Hekura për të varfrit dhe liri të garantuar për hajdutët e pushtetit!









Discussion about this post