Kreu i Grupit Parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike për organizimin e një proteste kombëtare në ditën kur në Kuvend pritet të votohet drafti i mazhorancës për Reformën Territoriale. Gjatë një tryeze me aleatët opozitarë, Blushi tha se protesta nuk duhet të kufizohet vetëm te banorët e 15 bashkive që parashikohet të shkrihen, por të shtrihet në të gjithë vendin.
Sipas tij, opozita duhet t’u prijë qytetarëve dhe ta shfrytëzojë seancën plenare të javës së ardhshme për të protestuar para Kuvendit.
“Në kushtet kur Rama po vepron me parimin e faktit të kryer dhe kur jemi pak ditë para seancës së thirrur në mënyrë të njëanshme, mendoj se nuk kemi shumë kohë për të ndjekur rrugët procedurale, pra ankimimin në gjykata. Opozita nuk duhet t’ua delegojë betejën vetëm tek qytetarët.
Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët. Duhet të dalim me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e familjeve të tyre. Harta e propozuar nga Rama është hartë antikombëtare”, tha Blushi.










Discussion about this post