Ish-presidenti, Ilir Meta, ka reaguar ndaj përplasjes mes GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, e cila lindi nga bojkoti i avokatëve ndaj rregullores së re të gjykatës dhe çoi në shtyrjen e seancës së fundit për dosjen e tij.
Ai e cilëson konfliktin absurd, pasi po sjell anulimin dhe shtyrjen e shumë çështjeve në Gjykatën e Posaçme.
Sipas tij, kjo situatë e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë përmes dialogut dhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit dhe aktorëve të tjerë.
Më tej në postimin e tij Meta e cilëson një konflikt të stisur dhe arbitrat që i shërben vetëm lojrave politike dhe minon besimin publik te drejtësia e sistemi gjyqësor.
“Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anullimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë.
Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.
Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt.
Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cënon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.
Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm.
Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat.
Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojrave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor”,- shprehet Meta.










Discussion about this post