Kryeministri Edi Rama ka prezantuar “Flamingo Mirror”, një platformë publike online ku qytetarët do të mund të aksesojnë të dhëna, dokumente dhe informacione për çështje dhe projekte që kanë interes publik.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se dosja e parë e publikuar në këtë platformë, pjesë e “Pasqyrë Albania”, është ajo për projektin e Sazanit dhe Zvërnecit që shkaktoi protestat masive në fund të muajit maj kundër qeverisë së tij, dhe që vijojnë ende e kësaj dite duke kërkuar dorëheqjen.
“Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë sot që flasim, me dosjen e Sazan Zvërnecit dhe është një burim i cili do t’i shërbejë të gjithëve, qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria ose çfarë është e shkruar në të gjithë dokumentet zyrtare dhe çfarë thonë materialet e një dosjeje qeveritare.”, tha Rama.
Rama shtoi se dosja në fjalë nuk është mbyllur dhe do të plotësohet me dokumente në proces, për shkak se sipas tij, ende nuk ka përfunduar studimi i impaktit mjedisor apo projekti urbanistik.
“Do të plotësohet me të tjerë dokumente në proces. Dosja nuk e ka studimin e impaktit mjedisor sepse ende nuk ka ardhur, nuk e ka projektin urbanistik dhe arkitektonik sepse nuk ka ardhur. Në momentin që këto do të vijnë do të vendosen menjëher në Pasqyrë”, shtoi Rama.
Kryeministri shtoi se do të publikojnë së shpejti edhe dy dosje të tjera shumë të komentuara, si KAYO dhe rruga Millot-Balldren.
“Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të KAYO, një tjetër emër që përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Po ashtu, Milot Balldren ka qenë një tjetër temë që është diskutuar mbi, sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, informacione të paverifikuara” shtoi ai.
Rama theksoi se “Flamingo Mirror”, është pjesë e “Pasqyrë Albania”, ku mund të ndiqen në kohë reale çdo projekt qeveritar apo vepër publike që financohet nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:
Edhe ky komponent i Pasqyrë Albania, si vetë Pasqyrë Albania është një rezultat i nxitjeje të ardhur nga shoqëria, përmes manifestimit të protestës në fillim të muajit qershor dhe nga ana tjetër si domosdoshmëri e një kohe të re kur faktet janë gjithmonë e më shumë në presionin e madh të reve, të dizinformimit, trillimeve dhe gjysme të vërteta apo informacioneve të paverifikuara. E kemi quajtur Flamingo Mirror, është në shqip dhe anglisht, patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë sot që flasim, me dosjen e Sazan Zvërnecit dhe është një burim i cili do t’i shërbejë të gjithëve, qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria ose çfarë është e shkruar në të gjithë dokumentet zyrtare dhe çfarë thonë materialet e një dosjeje qeveritare.
Është e qartë se në këtë Pasqyrë të Flamingos do të vendosim vijimësisht çdo dosje qeveritare me një ndjeshmëri të posaçme dhe jemi duke përgatitur me skuadrën, disa tema të tjera. Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të KAYO, një tjetër emër që përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Po ashtu, Milot Balldren ka qenë një tjetër temë që është diskutuar mbi, sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, informacione të paverifikuara dhe pastaj sigurisht faktet janë vendosur në këto raste nën presionin e madh që vjen nga një botë, e cila varet gjithmonë e më shumë nga çfarë thuhet dhe jo nga si dhe sa verifikohet.
E thashë është një komponent i Pasqyrë Albania. Do të ketë një sërë komponentësh, pjesë e Pasqyrë Albania do të jetë edhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt qeveritar, projekt publik apo vepër publike të financuar nga taksat e qytetarëve dhe po ashtu, në Pasqyrën e Flamingos ka edhe një komponent tjetër që është pyetjet dhe përgjigjet, të mbledhura në kohë reale edhe nëpërmet AI, nga çfarë shkruhet dhe flitet për dosjen në fjalë dhe përgjigjen zyrtare.










Discussion about this post