Publikimi i videove intime të disa artistëve është komentuar edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili ngriti pretendime për një skenar të mundshëm pas publikimit të tyre.
I pyetur nëse këto materiale mund të jenë përdorur për të larguar vëmendjen nga akuzat për korrupsion ndaj qeverisë, Berisha pretendoi se videot janë servirur nga Edi Rama për të “zhurmuar” skandalet e qeverisë.
Berisha tha se duhet të hetohet edhe mundësia që materialet të jenë siguruar përmes hakerimit, duke pretenduar se videot mund të jenë marrë dhe ruajtur më herët. Ai bëri thirrje për një hetim të plotë mbi origjinën e materialeve dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar në publik, ndërsa akuzat e tjera ndaj Ramës dhe qeverisë i paraqiti si qëndrimin e tij politik.
Pyetje: Doktor, në kulmin e skandaleve për korrupsion të qeverisë, dhe kur priten materiale edhe më komprometuese që pritet të dalin sipas asaj që ka deklaruar ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj, shqiptarëve iu serviren video me përmbajtje erotike të disa artistëve. Kush fshihet pas publikimit të tyre në dijeninë tuaj, dhe a po hidhen në treg për të mbuluar ndonjë aferë më të madhe ku mund të jetë drejtpërdrejt i përfshirë vetë kryeministri?
Berisha: Absolutisht ato i servir në treg Edi Rama për të zhurmuar skandalet e tmerrshme të tradhtisë më banale, më të turpshme, të shefes së shërbimit, një bashkëpunëtore e shpifur e organizatave më kriminale, karteleve më të fuqishme të drogës, me Ergys Agasin.
Ato bëhen për të zhurmuar amoralitetin e kësaj qeverie në të gjitha aspektet.
Ato bëhen për të zhurmuar lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës, vjedhjen e qindra e qindra milionë eurove nga ai, skandalet e vëllait të tij, të ministrave të tij.
Nuk kanë asnjë qëllim tjetër!
Për të mos thënë tjetrën, po kjo do hetim. Thuhet që ai prej kohësh është marrë. Thashë kërkon hetim, me hakerimin dhe gjetjen e këtyre lloj videove, se mund t’i duheshin një ditë.
Unë bëj thirrje të bëhet një hetim i fortë edhe për këtë mundësi, se hakerat kryesorë në Shqipëri, janë hakerat e Edi Ramës.










Discussion about this post