Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar nismën e qeverisë për “pasqyrën digjitale” të çmimeve, duke argumentuar se ajo nuk adreson shkaqet që, sipas saj, kanë sjellë rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ngre pikëpyetje nëse çmimet e larta lidhen me mungesën e informacionit për konsumatorët apo me politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria.
“A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?”, shprehet Tabaku.
Sipas deputetes së PD-së, barra fiskale është një nga faktorët kryesorë që ndikon në çmimet që paguajnë qytetarët. Ajo pretendon se rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, ndërsa për produkte bazë ushqimore, si orizi, sheqeri dhe mielli, aplikohet TVSH prej 20%.
Tabaku thotë gjithashtu se fermerët përballen me barrën e taksave dhe mungesën e subvencioneve, ndërsa kërkon politika ekonomike që, sipas saj, të ulin kostot, të çlirojnë tregjet nga monopolet dhe të nxisin konkurrencën.
“Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët”, deklaron ajo.
Deputetja akuzon gjithashtu qeverinë se nuk mbështet sa duhet sektorët prodhues, duke përmendur fasonerinë dhe bujqësinë, ndërsa kritikon investimet në projekte rrugore me kosto të lartë. Sipas saj, një pjesë e këtyre projekteve janë aktualisht nën hetim.
“Këto janë hallet e qeverisë shqiptare, jo ato të qytetarëve”, shprehet Tabaku, duke argumentuar se zgjidhja nuk është një mekanizëm digjital për monitorimin e çmimeve, por ndryshimi i politikave ekonomike.
Në përfundim, Tabaku kërkon ndryshimin e qeverisë dhe të sistemit, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si “qeveri të pakicës” dhe duke pretenduar se ajo u shërben interesave të ngushta në vend të nevojave të qytetarëve.










Discussion about this post