Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi funksionimin dhe dokumentacionin e terminalit të Sarandës, duke e cilësuar investimin si një zgjidhje që, sipas saj, nuk i shërben problemeve reale të qytetit.
Gjatë një deklarate nga ambientet e terminalit, Zhupa kritikoi mënyrën se si është projektuar objekti, duke u ndalur te lëvizja e autobusëve dhe lidhja e terminalit me aksin kryesor të qytetit.
Sipas deputetes demokrate, pozicionimi i terminalit paralel me rrugën kryesore krijon vështirësi për autobusët që largohen nga Saranda drejt Tiranës apo destinacioneve të tjera
Ajo pretendoi se autobusët nuk mund të dalin drejtpërdrejt në aksin kryesor, por duhet të përshkojnë rreth 1.5 kilometra, të shkojnë deri te rrethrrotullimi dhe më pas të rikthehen për të vijuar rrugën.
“Jua tregoj këtë si shembull i një projektimi të gabuar”, tha Zhupa.
Zhupa ngriti gjithashtu pretendime mbi dokumentacionin teknik të terminalit. Sipas saj, pavarësisht se objekti është në përdorim, ai nuk është pajisur me certifikatë kolaudimi dhe certifikatë sigurie.
Deputetja kërkoi gjithashtu transparencë mbi lejen e ndërtimit dhe parametrat teknikë të objektit, duke argumentuar se këto elemente duhet të garantojnë funksionalitetin dhe sigurinë e terminalit.
Një tjetër kritikë e Zhupës lidhet me qëllimin kryesor të terminalit: uljen e trafikut dhe lehtësimin e problemit të parkimeve në Sarandë.
Sipas saj, autobusët vazhdojnë të hyjnë në një pjesë të qytetit, ndërsa terminali nuk ka krijuar një zgjidhje funksionale për qytetarët që do të linin automjetet aty dhe do të vijonin drejt qendrës.
Zhupa tha se mungojnë linjat e rregullta të transportit urban që do të lidhin terminalin me qendrën e Sarandës.
“Terminali do të duhej të ishte zgjidhja e qytetit për trafikun. Duhet të ishte zgjidhja e qytetit për lehtësimin e parkingjeve në qytet. As njërën dhe as tjetrën nuk e ka bërë”, deklaroi ajo.
Në përfundim, deputetja e PD-së e cilësoi terminalin si një “investim fasadë”, duke pretenduar se paratë publike janë përdorur për një vepër që nuk ka sjellë, sipas saj, zgjidhje konkrete për trafikun dhe parkimin.
“Kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një investim fasadë, më shumë para të qytetarëve shqiptarë të cilat janë keqpërdor dhe që nuk sjell një zgjidhje reale as për trafikun dhe as për parkimin e qytetit të Sarandës”, u shpreh Zhupa.










Discussion about this post