Një urdhër për vendosjen e sekuestros konservative është regjistruar për shoqërinë AlbChrome, duke kufizuar veprimet që lidhen me shitjen dhe tjetërsimin e kuotave/aksioneve të përmendura në të.
Mësohet se urdhri për vendosjen e sekuestros konservative ndaj AlbChrome është lëshuar nga Zyra Vendore Përmbarimore Tiranë dhe është depozituar në regjistrin tregtar më 9 korrik 2026.
Masa parashikon sekuestro mbi kuotat/aksionet e zotëruara nga pala debitore dhe kërkon të mos kryhen shërbime për shitjen apo tjetërsimin e tyre.
Në maj të këtij viti, kompania u gjobit nga autoritetet mjedisore dhe aktiviteti i saj u pezullua përkohësisht pas konstatimit të mbetjeve të rrezikshme në ambientet e kompanisë.
‘Albchrome’ është një nga kompanitë më të mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Ajo është renditur si një nga 5 kompanitë më të mira në botë për ofrimin e produktit të ferrokromit edhe nga Afarak Group, një grup me aktivitet në sektorin minerar dhe prodhimin e kromit, i specializuar në Evropën Jugore dhe Afrikën Jugore.
Në vitin 2016, mbi aksionet e kompanisë ishte vendosur një sekuestro konservative në lidhje me detyrime ndaj KESH, masë e cila më vonë ishte liruar.
Në vitin 2024, ku “Albchrome”, shënoi rënie me 20% të të ardhurave, pas përgjysmimit në vitin 2023, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Kompania raportoi humbje prej 78 milionë lekësh (rreth 740 mijë euro). Në shtator të vitit 2025 pati ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese të kompanisë. Vendimi erdhi nga ortaku i vetëm i saj, “Albchrome Holding” Sh.p.k., të përfaqësuar nga administrator, Sabit Sagir.










Discussion about this post