Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2026-2027, ndërsa mbi 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në auditore. Edhe këtë vit, universitetet publike mbajnë peshën kryesore të pranimeve, me 70% të të rinjve që kanë zgjedhur institucionet publike dhe 30% universitetet private.
Ndër degët më të preferuara nga maturantët vijojnë të jenë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z në portalin “e-Albania”, për kandidatët që dëshirojnë të marrin pjesë në raundin e tretë të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Aplikimet do të kryhen deri më 6 tetor, nga ora 08:00 deri në 16:00.
Raundi i tretë i aplikimeve për maturantët do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, më 21 tetor, pritet që numri i studentëve të rinj të kalojë 21 mijë, duke përmbyllur kështu procesin e pranimeve për vitin e ri akademik.










Discussion about this post