Qindra qytetarë nga bashkitë që kundërshtojnë reformën territoriale të propozuar nga PS janë mbledhur para Kryesisë së Kuvendit.
Protesta zhvillohet në ditën kur projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” është parashikuar të diskutohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Sipas axhendës së raportuar, mbledhja e komisionit është parashikuar në orën 11:00.
Propozimet për hartën e re territoriale kanë shkaktuar kundërshtime në disa prej bashkive që preken nga ndryshimet. Mes tyre është Divjaka, për të cilën propozimi parashikon bashkimin me Bashkinë Lushnjë.
Banorët e Divjakës kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme, duke kërkuar që njësia e tyre vendore të ruajë statusin e bashkisë më vete. Mes shqetësimeve të ngritura prej tyre janë largimi i shërbimeve nga qytetarët dhe dobësimi i përfaqësimit në nivel vendor.
Kundërshtimi është shprehur edhe gjatë procesit të dëgjesave publike. Në përfundim të tyre, dokumentacioni dhe firmat e mbledhura u përgatitën për t’iu dërguar Kuvendit për shqyrtim.
Edhe bashki të tjera kanë shprehur kundërshtime ndaj ndryshimit të kufijve të tyre administrativë. Përpara mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ishte paralajmëruar, ndër të tjera, edhe një protestë e banorëve të Poliçanit, të cilët kundërshtojnë bashkimin me Beratin.Sipas faqes zyrtare të reformës territoriale në Kuvend, procesi synon rishikimin e organizimit të qeverisjes vendore, forcimin e kapaciteteve administrative të bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Komisioni i posaçëm ka pasur në objekt të punës edhe analizimin e opsioneve për ridizenjimin territorial dhe të financave vendore.
Ndërkohë, banorët që preken nga propozimet kërkojnë që shqetësimet e tyre për aksesin në shërbime, përfaqësimin vendor dhe ruajtjen e njësive ekzistuese të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit parlamentar.










Discussion about this post