Deputeti socialist Erion Braçe, ka dalë kundër propozimit për reformën e re administrative-territoriale, duke deklaruar se nuk do ta votojë nismën në formën aktuale.
Gjatë fjalës së tij në një video të bërë publike në rrjetet sociale, Braçe tha se diskutimi për reformën duhet të jetë më i gjerë dhe se PS duhet të dëgjojë më shumë deputetët dhe qytetarët.
Njëkohësisht, Braçe theksoi se nuk është kundër nevojës për një reformë të pushtetit vendor, por kundër një nisme që, sipas tij, kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës administrative.
Ai kritikoi edhe mënyrën se si është zhvilluar konsultimi me deputetët, duke thënë se diskutimet kanë qenë të pakta dhe se propozimi u është paraqitur shumë pranë momentit të votimit në Kuvend.
“Mos e humbni kohën duke u marrë me Erion Braçen. Mos e humbni kohën duke përmendur rregullore e sanksione se këto nuk vlejnë. E vetmja gjë që vlen është që ne të bëjmë gjënë e duhur. Dhe për të bërë gjënë e duhur se kam problem fare votën dhe sanksionet që burojnë prej saj.
Kjo parti duhet të mësohet të dëgjojë. Unë nuk e mohoj nevojën për një reformë të plotë të pushtetit vendor, me fokus mirëqeverisjen në shërbim të qytetarëve. Por ama një reformë, jo vizatimin e një harte të re administrative territoriale. Projektligji që është në diskutim bën vizatimin e një harte administrative-territorial dhe nuk jep garanci për një reformë të plotë të pushtetit vendor me qëllim përmirësimin e qeverisjes në këtë nivel.
Diskutimi të paktën me ne deputetët ka qënë thuajse inekzistent. Ne kemi zhvilluar vetëm një mbledhje dje për këtë çështje, kemi zhvilluar disa grupe të përbashkëta mes grupit parlamentar dhe qeverisë por në asnjërën prej tyre nuk kemi ndarë informacion, nuk kemi bërë pyetje, nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk kemi bërë diskutim për këtë.
Ka patur vetëm një mbledhje që është bërë dje, tre ditë para se pr.ligji të votohet ën Kuvend, dhe ishte një mbledhje ku një e treta e deputetëve mungonin, ku kryeministri, zv.kryeministrja dhe gati gjysma e qeverisë mungonte gjithashtu.
Kjo është reforma më e rëndësishme ndaj serioziteti dhe pjesëmarrja në diskutim duhet të ishte i qenësishëm”, tha Braçe.










Discussion about this post