Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me tritol në Elbasan, ku u dëmtua dera e jashtme e rrethimit të banesës së 60-vjeçarit, Shefki Frakulli. Sipas të dhënave paraprake, lënda plasëse dyshohet se është vendosur pranë hyrjes së banesës, duke shkaktuar dëmtime në derën e jashtme të rrethimit.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Janë administruar provat dhe materialet e nevojshme, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të kësaj ngjarjeje. Në banesë jetonte vetëm çifti Frakulli, ndërsa dy djemtë e familjes ndodhen prej vitesh në emigracion, përkatësisht në Angli dhe Itali.
Një nga pistat që mund të verifikohet nga grupi hetimor lidhet me mundësinë që dëmtimi i banesës të jetë një akt intimidues ose mesazh kërcënues ndaj familjes.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që të konfirmojnë motivin e ngjarjes apo ndonjë lidhje të saj me aktivitetin e djemve të familjes në emigracion. Sakaq, pritet që grupi hetimor të zbardhë ngjarjen e plotë, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.








Discussion about this post