Deputetja Ina Zhupa ka denoncuar mënyrën e parashikuar për funksionimin e Fondit Kombëtar të Mjedisit, duke pretenduar se struktura e propozuar krijon konflikt interesi dhe mund të sjellë shpërndarjen e fondeve mbi baza politike dhe klienteliste.
Sipas Zhupës, fondi mund të administrojë miliona euro përmes granteve, subvencioneve dhe instrumenteve të tjera financiare për projekte në fushën e mjedisit dhe restaurimit.
Ajo pretendon se projektet mund të propozohen edhe nga vetë ministria apo agjencitë në varësi të saj, ndërsa vlerësimi do të kryhet nga një komision i përbërë nga pesë nëpunës drejtues të ministrisë, të caktuar nga ministri. Vendimi përfundimtar, sipas saj, do të merret po nga ministri.
Deputetja publikoi gjithashtu një video nga diskutimet në komision, duke kundërshtuar pretendimin e nënkryetarit Erion Malaj se mekanizmi ishte konsultuar dhe kishte marrë miratimin e Komisionit Europian.
Sipas versionit të paraqitur nga Zhupa, përgjigjja e zëvendësministres së Mjedisit, Elda Xhumari, tregoi se konsultimi ishte zhvilluar vetëm me ministrinë e linjës. Xhumari rezulton të jetë zëvendësministre e Mjedisit.
Zhupa e cilësoi këtë si një përpjekje për t’i dhënë mekanizmit një justifikim europian dhe ngriti pikëpyetje mbi pavarësinë e procesit të vlerësimit.
Deputetja ngriti gjithashtu shqetësimin se vetë ministria ose agjencitë në varësi të saj mund të aplikojnë për financim, ndërkohë që projektet do të vlerësohen nga zyrtarë të së njëjtës strukturë.
Sipas Zhupës, kjo mënyrë organizimi krijon një konflikt interesi që mund të ndikojë në mënyrën e shpërndarjes së fondeve.
“Fondi Kombëtar i Mjedisit po kthehet në një fond qokash për të preferuarit e partisë! Bëhet fjalë për një fond që mund të administrojë shumë miliona euro, përmes granteve, subvencioneve dhe instrumenteve të tjera financiare për projekte mjedisore dhe restaurimi.
Projektet mund të propozohen nga vetë ministria dhe agjencitë në varësi të saj. Vlerësimi bëhet nga një komision i përbërë nga 5 nëpunës drejtues të ministrisë, të caktuar me urdhër të ministrit, ndërsa vendimi përfundimtar merret po nga ministri. Pra, propozuesi, garuesi, vlerësuesi dhe vendimmarrësi janë brenda së njëjtës hierarki administrative.
Në Komision, nënkryetari Erion Malaj e paraqiti këtë mekanizëm si një gjetje të konsultuar dhe të marrë miratimin e Komisionit Europian, duke e lidhur me nevojat e rrugës së integrimit europian.
Por përgjigjja e zv.ministres Xhumari e përgënjeshtroi këtë pretendim: konsultimi, sipas saj, kishte qenë vetëm me ministrinë e linjës.
Një mashtrim publik për të krijuar alibi për mekanizmat e krijuara me qëllime klienteliste dhe partiake. Nuk mund të quhet “europian” një mekanizëm ku 5 vartës të ministrit vlerësojnë fondet dhe ministri merr vendimin përfundimtar.
Ku është pavarësia e vlerësimit? Si mund të garantohet një proces i besueshëm kur vetë ministria apo agjencitë e saj mund të jenë aplikante për fondin dhe projektet e tyre vlerësohen nga vartës të së njëjtës ministri? Është një konflikt interesi i ndërtuar në vetë strukturën e fondit për t’u ndarë sipas preferencave politike. Mjedisi vazhdon përdoret si instrument për interesa klienteliste dhe kundra standardeve europiane.”, shkruan Zhupa.










Discussion about this post