Është zbardhur vendimi i gjykatës së posaçme, e cila caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për ish-drejtorin e policisë së Elbasanit, Uljan Shpatarakut.
Ajo që bie në sy në këtë vendim gjyqësor, është rrëfimi i Shpatarakut, i cili ka surprizuar gjyqtaren e çështjes dhe prokurorët e pranishëm në seancë.
Sipas të arrestuarit Shpatarakut, ai nuk kishte asnjë njohje me Ergys Agasin, por takimi i tyre ditën e arrestimit, ka qënë në kondita të rastësishme në rrugë.
Ai ka pohuar në seancë se Agasin, e ka takuar rastësisht në rrugën e vjetër të Elbasanit, të cilin e ka marë në makinë pasi i ka bërë autostop dhe se sipas Shpatarakut, personi kur ka hipur në makinë i është prezantuar me emrin “Berti”.
“…po kthehesha nga rruga e vjetër e Elbasanit. Gjatë udhëtimit, një person më bëri shenjë me dorë dhe unë e mora në makinë. Ky person më tha se quhej ‘Berti’ dhe se punonte me duralumin. Në afërsi të Plepave, në Durrës, na ndaloi policia. Aty mësova se personi që kisha marrë në makinë ishte Ergys Agasi…”- ka pohuar në gjyq ish-drejtori i policisë së Elbasanit, Shpataraku.
Sipas versionit të tij që dha në gjykatë, por sigurisht nuk u besua nga gjyqtarja e çështjes, ai nuk kishte asnjë njohje me Agasin.
Më tej në dëshminë e tij ai ka treguar si më poshtë vijon:
“…unë nuk e njoh Ergys Agasin. Po udhëtoja me automjet drejt Elbasanit dhe një person më ngriti dorën për autostop. E mora, pasi jam besimtar dhe nuk kam frikë nga njerëzit që kanë hall në rrugë…”.
Por pavarësisht kësaj dëshmie ai nuk i ka shpëtuar masës së sigurisë “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Posaçme për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Ndërkohë për të rrëzuar këtë version të dhënë nga Shpataraku, SPAK ka urdhëruar ekspertimin kompjuterik të dy telefonave të tij “Iphone” të sekuestruar gjatë aksionit në fund të muajit Gusht 2026 në Durrës, ku ish-zyrtari i policisë u arrestua në të njëjtën makinë me Ergys Agadin.
Mësohet se dy telefonat kanë qënë të koduar. Ndërsa SPAK është përqëndruar dhe tek bisedat që ka kryer Shpataraku dhe Ergys Agasi në “Signal”.
Sipas burimeve, në dalje të zonës së Bradasheshit, Shpararaku ka konstatuar në ajër një dron që po i ndiqte dhe në këtë moment i ka thënë Ergys Agasit që t’i jepte makinës shpejt me qëllim për t’ju shmangur ndjekjes.
Por Agasi, e ka garantuar se nuk kishte asnjë rrezik pasi kishte biseduar se gjithçka ishte në rregull.
Mirëpo në zonën e plepave në Durrës, makina e tyre është ndaluar nga policia, duke çuar në arrestimin e personit të kërkuar Ergys Agasi dhe ish-zyrtarit të policisë Uljan Shpataraku.








Discussion about this post