Altin Jakini është shqiptari i dënuar me 11 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Cuneos në Itali, pasi u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së një 28-vjeçari shqiptar.
Mësohet se, ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2023, në Manta të Cuneos.
Fillimisht rasti u konsiderua si një aksident rrugor, pasi 28-vjeçari kishte dalë nga rruga me automjetin e tij dhe ishte gjetur në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, përpara se të futej në sallën e operacionit në Cuneo, i riu i tregoi një karabinieri identitetin e personit që, sipas tij, e kishte qëlluar me armë.
Nga hetimet rezultoi se Jakini ndodhej në drejtimin e një furgoni, nga i cili u qëllua ndaj 28-vjeçarit me një pistoletë të kalibrit 22.
Prokurorja Francesca Lombardi kishte kërkuar 15 vite burg për Jakinin, duke kërkuar edhe njohjen e rrethanës rënduese të paramendimit.
Gjykata, megjithatë, e përjashtoi këtë rrethanë dhe vendosi dënimin me 11 vite e 6 muaj burg.
Në të njëjtin proces, gjykata shpalli të pafajshëm Andrea Dedin, ish-punonjësin e Jakinit, i cili akuzohej se e kishte ndihmuar në kryerjen e atentatit.
Sipas dëshmive dhe të dhënave të bëra publike gjatë procesit, motivi i ngjarjes dyshohet të ketë qenë xhelozia. Jakini dyshonte se 28-vjeçari, i cili punonte si murator dhe banonte në Manta, kishte interes për të dashurën e tij.
Në ditët para atentatit, i riu kishte tentuar ta qetësonte Jakinin, duke i thënë se nuk kishte arsye për të qenë xheloz. Megjithatë, dyshimet e biznesmenit dyshohet se përshkallëzuan deri në tentativën për ta vrarë.










Discussion about this post