Kuvendi pritet të përballet sot me një nga seancat më të tensionuara politike, teksa PS kërkon të miratojë hartën e re territoriale.
Për kalimin e draftit duhen 84 vota, ndërsa kundërshtimi i opozitës dhe disa deputetëve socialistë e bëjnë votimin të pasigurt. PD ka paralajmëruar aksion brenda dhe jashtë Kuvendit, ndërsa bashkitë kundërshtuese i kanë kërkuar Këshillit të Europës që zëri i komuniteteve të mos anashkalohet në ndryshimin e kufijve vendorë.
Mazhoranca është përballë sfidës për të siguruar 84 votat, ndërsa opozita paralajmëron aksion brenda e jashtë Kuvendit, me një protestë kombëtare. Për ta kaluar projektligjin, nevojiten 84 vota, të cilat socialistët rrezikojnë të mos i plotësojnë, pasi dy prej ligjvënësve të majtë, Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe e kanë kundërshtuar ndarjen e re.
Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar votën kundër draftit të PS-së. Për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave, në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama, e Belinda Balluku, me mungesa të konsiderueshme këto kohë në sallën plenare.
Përballë kësaj panorame brenda së majtës, edhe demokratët kanë paralajmëruar aksion brenda Kuvendit. Lideri demokrat, Sali Berisha deklaroi dje: “Është shumë e rëndësishme kjo seancë në të cilën ne duhet t’u faktojmë qytetarëve shqiptarë se ky, person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta përveçse interesave të pushtetit të tij, si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz.”.
Edhe Tedi Blushi i PL-së iu bashkua PD-së, duke thënë se harta që sipas tij thellon shpopullimin, duhet ndalur. “Territori i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si një plaçkë dhe çdo pëllëmbë tokë që Edi Rama kërkon ta fshijë nga harta duhet mbrojtur nga ky projekt ogurzi shpopullues. Shqipëria ka nevojë për pushtet vendor më funksional, që garanton shërbimet jetike më afër me qytetarin. Ky Parlament nuk ka mandat për të vendosur për gjithçka”, tha Blushi. Në të njëjtën kohë me seancën, opozita ka thirrur protestë para Kuvendit në orën 10:00, e para kjo që nga nisja e lëvizjes qytetarë kundër gjithë klasës politike. Edhe flamingot protestojnë në të njëjtën kohë me demokratët para kuvendit.










Discussion about this post