Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje mazhorancës në Kuvend të rrëzojë projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale dhe të kërkojë një referendum për këtë çështje.
Duke folur në Kuvend, Berisha e cilësoi projektin “armiqësor” dhe deklaroi se ai nuk gëzon mbështetjen e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Berisha propozoi që qytetarëve t’u paraqiten dy variantet e ndarjes territoriale dhe të jetë vota e tyre ajo që do të përcaktojë alternativën përfundimtare.
“Hidheni poshtë këtë projekt armiqësor, hidheni poshtë këtë projekt që nuk ka qytetar i cdo bindje politike që voton. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum. Të pyesim shqiptarët për një proces madhor që mbi të gjitha ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë, ka të bëjë me shërbimet, ka të bëjë me te ardhmen e komuniteteve kudo që janë. Hidheni poshtë dhe të shkojmë në referendum me dy variantet, cilin variant të votojnë qytetarët, atë të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu. Por ju keni armiqësi me qytetarët”, tha Sali Berisha.
Fjalën për replikë e mori edhe kryetari i grupit të PS, Taulant Balla, i cili u shpreh i sigurt se reforma sot do të votohet.
“Sa i përket ligjit për Territorialen ne e kemi marrë dakordësinë e qytetarëve shqiptarë në 11 maj 2025, sepse kjo ka qenë pika e parë e programit tonë 2030. Ftesa ime për ju sot nuk është të mos diskutojmë. Do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës.
Ftesa ime për ju është që javën e ardhshme të ngremë komisionin e përbashkët për ndarjen e kompetencave. Sa herë ju kam parë unë të zgërdhiheni si sot… Keni një javë kohë të mendoheni, kjo sot do të votohet. Bëni gati propozimet. Do të shqyrtojmë edhe propozimin tuaj”, tha Balla mes të tjerash.










Discussion about this post