Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me presidenten e sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit mes institucioneve të vendit.
Në përfundim të takimit, Kurti u shpreh se te presidentja e re kishte gjetur mirëkuptim dhe gatishmëri për të bashkëpunuar në çështjet që lidhen me interesin shtetëror dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për institucione që veprojnë në mënyrë të koordinuar, në mënyrë që të përballojë sfidat dhe të çojë përpara prioritetet e vendit.
Kryeministri nënvizoi se, pas një periudhe të gjatë, Kosova tashmë ka institucione funksionale dhe se nuk ka kohë për të humbur në përmbushjen e përgjegjësive shtetërore.
“Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha, të përditshme, për interesin shtetëror dhe publik dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën. Tash na presin shumë angazhime, të cilat natyrisht, me vullnet të mirë dhe të gjithë dijen dhe mundësinë që kemi, do t’i shpiem përpara sa më shpejt që mundemi.
Republika e Kosovës, pas më shumë se një viti e gjysmë, ka institucione funksionale dhe nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida që i kemi përpara. Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt.”, tha Kurti.
Pas deklaratës për mediat, Kurti nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve lidhur me zhvillime të tjera të aktualitetit politik.









Discussion about this post