Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvend, ku ka kritikuar mazhorancën për reformën e re administrativo-territoriale dhe mënyrën se si po zhvillohet procesi.
Gjekmarkaj e nisi fjalën e tij duke iu referuar një rishkrimi të Bertolt Brecht për gjyqin e Galileos, duke theksuar se shoqëria dhe partitë politike nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin te individë të caktuar, por të krijojnë mekanizma për të reaguar dhe për të penguar atë që e konsiderojnë të dëmshme.
Deputeti demokrat tha se kishte përgatitur një analizë të gjerë historike dhe gjeografike për ndarjen territoriale të Shqipërisë që prej vitit 1920, por vendosi të mos e lexojë, duke e konsideruar të tepërt përballë situatës politike.
Sipas Gjekmarkajt, pas propozimeve ligjore dhe reformave të mazhorancës fshihen qëllime dhe interesa konkrete. Ai pretendoi se edhe Reforma Territoriale nuk synon përmirësimin e administrimit, forcimin e autonomisë vendore apo integrimin europian, por krijimin e asaj që ai e cilësoi si “anarki administrative” për ruajtjen e pushtetit.
“Qëllimi është për të krijuar një anarki administrative me një synim të vetëm. Synimi është mbajtja e pushtetit me çdo kusht dhe me çdo truk”, deklaroi Gjekmarkaj.
Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e termave si territor, qytetarë, dinjitet dhe integrim nga përfaqësuesit e mazhorancës, duke pretenduar se këto deklarime nuk përputhen me mënyrën se si po zbatohet reforma.
Gjekmarkaj e krahasoi mënyrën e miratimit të reformës me Kushtetutën e vitit 1975, duke e cilësuar atë si “incest moral, etik e politik” dhe “një krim të legalizuar me votë”.
“Ju po silleni si pushtues”, u shpreh deputeti demokrat, duke akuzuar mazhorancën se po vepron në dëm të territorit dhe qytetarëve.
Në fund të fjalës, Gjekmarkaj paralajmëroi shumicën parlamentare se, sipas tij, frika e qytetarëve ndaj qeverisë është një situatë e përkohshme dhe se mund të vijë një moment kur qeveria do të përballet me gjykimin dhe kundërshtimin e qytetarëve.









Discussion about this post