Analisti Fatos Lubonja ka komentuar reformën e re territoriale dhe protestën qytetare kundër saj, duke e lidhur debatin me mënyrën se si, sipas tij, është përqendruar pushteti politik dhe vendimmarrja.
Në një intervistë për News24, Lubonja deklaroi se ndryshimet territoriale nuk duhet të shihen vetëm si një çështje administrative, por në raport me mundësinë që qytetarët të ndikojnë në vendimet që prekin zonat ku jetojnë.
Sipas tij, qeverisja lokale është pjesë e drejtpërdrejtë e demokracisë dhe protestat lidhen pikërisht me atë që ai e konsideron humbje të kësaj të drejte.
“Pse kemi dalë në protestë?! Sepse na ka hequr vendimmarrjen zotëria”, u shpreh Lubonja.
Ai kritikoi gjithashtu modelin e zhvillimit urban të përqendruar te Tirana dhe Durrësi, duke pretenduar se zgjerimi i këtyre qendrave urbane është favorizuar nga interesat e sektorit të ndërtimit.
Lubonja e cilësoi këtë model si një “distopi”, duke argumentuar se zhvillimi ekonomik nuk duhet të vendoset mbi nevojat e qytetarëve.
“Zhvillimi nuk është në funksion të njeriut, por njeriu në funksion të zhvillimit”, tha analisti.
Në vijim, ai kritikoi edhe mënyrën se si janë marrë vendime për territorin dhe zonat e mbrojtura, duke argumentuar se qytetarët nuk janë pyetur mjaftueshëm për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe pronat e tyre.










Discussion about this post