Reshjet e dendura të shiut dhe shtrëngatat që kanë nisur që prej mbrëmjes së kaluar kanë sjellë probleme në disa zona të vendit, duke vështirësuar qarkullimin rrugor dhe shkaktuar problematika me infrastrukturën dhe furnizimin me energji elektrike.
Tirana është ndër zonat më të prekura nga situata e krijuar, ku moti i keq ka përkeqësuar ndjeshëm trafikun që në orët e para të mëngjesit. Fluks i lartë automjetesh dhe radhë të gjata janë regjistruar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, përfshirë Unazën e Madhe, Laprakën, Don Boskon, Ali Demin, Astirin dhe Saukun.
Qindra qytetarë janë përballur me vonesa të konsiderueshme në lëvizje, ndërsa në disa segmente rrugore qarkullimi është zhvilluar me vështirësi për shkak të trafikut të rënduar dhe reshjeve të vazhdueshme.
Problematika janë evidentuar edhe në veri të vendit. Në Kukës, reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente rrugore, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar për pastrimin e rrugëve dhe largimin e materialeve të rëna, ndërsa drejtuesve të automjeteve u kërkohet të lëvizin me kujdes të shtuar.
Edhe në Durrës, reshjet kanë shkaktuar grumbullime uji në disa rrugë, duke penguar përkohësisht lëvizjen e automjeteve. Sipas informacionit të raportuar, situata tashmë është përmirësuar dhe qarkullimi vijon normalisht.
Ndërkohë, në qarkun e Lezhës janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, si pasojë e motit të keq. Grupet e punës kanë dalë në terren për të identifikuar dhe riparuar defektet, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji.
Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kërkojnë kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht nga drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në akset ku janë shënuar rënie inertesh apo vështirësi në qarkullim.










Discussion about this post