Kryeministri Edi Rama ka lëshuar kërcënimin e radhës për të vetët, duke përdorur një video të realizuar me inteligjencë artificiale, ku një luan ecën ndërsa në sfond dëgjohen thënie për njerëzit e gabuar, tradhtinë, vështirësitë dhe forcën që fitohet përmes përballjeve.
Rama nuk ka shkruar asnjë koment mbi videon, por koha kur e ka publikuar e lidh postimin me zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, veçanërisht me debatet për reformën territoriale.
Mesazhi më domethënës është ai për njerëzit që qëndrojnë pranë, por që nuk duhet të vazhdojnë domosdoshmërisht të njëjtën rrugë.
“I kërkova Zotit dashuri. Ai largoi njerëzit nga jeta ime. I hutuar, e pyeta, pse? Sepse jo kushdo që ecën pranë teje është i destinuar të ecë bashkë me ty. Nuk do të lejoj kurrë njerëzit e gabuar të të pengojnë të përmbushësh qëllimin që kam për ty”, thuhet në video.
Rama u kujton kështu socialistëve se nuk e konsideron të përhershme praninë e askujt në rrethin e tij politik dhe se kundërshtimet nuk do ta pengojnë të vazhdojë projektet që ka vendosur.
Mesazhi vjen pas debateve për reformën territoriale, ku brenda mazhorancës dukej se po shfaqeshin qëndrime të ndryshme. Deputetë socialistë shprehën rezerva, por kundërshtimet nuk u kthyen në një votë kundër.
Në këtë kuptim, videoja e luanit mund të lexohet si një paralajmërim për rebelët e PS-së. Po ashtu mëngjesin e sotëm, kryeministri përdori një shprehje tjetër për t’u kujtuar socialistëve dhe kundërshtarëve politikë se kush e kontrollon vendimmarrjen.
“Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”, deklaroi Rama, duke iu referuar votimit për reformën territoriale.
Në pjesën tjetër të videos, mesazhi përqendrohet te përballimi i vështirësive.
“I kërkova paqe, ai lëshoi stuhi. Mes lotësh, e pyeta: Pse? Sepse paqja nuk është mungesa e stuhive, por forca për të qëndruar i palëkundur kur tërbohen stuhitë”, thuhet në material.
Më tej, videoja vijon me një tjetër thënie: “Forca nuk të dhurohet, ajo ndërtohet, ashtu si hekuri që kalitet në zjarr dhe merr formë nën goditjet e çekiçit. Karakteri yt formohet përmes asaj që ti përballon”.
Paralajmërimi i Ramës lexohet qartë. Ai nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs për shkak të kundërshtimeve të brendshme, madje kush guxon t’i dalë kundër, largohet.










Discussion about this post