Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga komisioneri i lartë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Christophe Kamp, që t’i kushtojë vëmendje diskriminimit sistematik që Serbia i bën shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Kurti shkruan se gjatë takimit me Kamp-in ka diskutuar për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhës dhe qasjen në arsim e shërbime publike si dhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.
Ai theksoi se barazia para ligjit është themeli i Kosovës dhe se Kushtetuta garanton të drejta të avancuara për komunitetet joshumicë, ndërsa akuzoi Serbinë për diskriminim ndaj shqiptarëve.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, në shumë aspekte përtej standardeve evropiane të mbrojtjes. Këto garanci duhet të gjejnë shprehje të plotë në jetën institucionale e shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, në respektim të ligjeve në fuqi. Mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit e përforcojnë njëra-tjetrën; përkatësia nuk mund të jetë bazë as për cenimin e të drejtave, as për përjashtimin nga detyrimet ligjore.
Ngrita shqetësimin për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë, përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike. Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, ka shkruar Kurti në Facebook.










Discussion about this post