GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Protesta e studentëve në Tiranë përshkallëzohet në dhunë, gaz lotsjellës dhe barrikada në flakë

në Aktualitet, KRYESORE, Lajme, Politikë
Kohë leximi: 4 min
A A
Protesta e studentëve në Tiranë përshkallëzohet në dhunë, gaz lotsjellës dhe barrikada në flakë
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Protesta e studentëve të martën, më 13 tetor, në Tiranë u shndërrua në përplasje të dhunshme me policinë, duke lënë dhjetëra persona të lënduar, dëme materiale dhe disa të shoqëruar. Ajo që nisi me thirrje kundër korrupsionit dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, u përhap në disa zona të kryeqytetit, ku protestuesit ngritën barrikada, u vunë flakën objekteve dhe u përballën me forcat e rendit.

Rreth orës 15:00, një grup protestuesish të maskuar sulmoi me gurë dhe sende të forta godinën e Ministrisë së Arsimit, duke thyer xhamat e dy kateve të para. Disa persona hynë edhe në oborrin e ministrisë, ndërsa të tjerë shkulën kangjellat metalike përgjatë rrugëve përreth.

Policia ndërhyri me autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa në terren u angazhuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjatë ndërhyrjeve, disa protestues u goditën dhe u shoqëruan, ndërsa një pjesë e turmës u zhvendos drejt sheshit “Skënderbej” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Përplasjet vijuan gjatë pasdites dhe mbrëmjes, me protestuesit që rigrupoheshin pas çdo ndërhyrjeje të policisë. Gazi lotsjellës u përhap edhe në rrugët përreth, duke prekur jo vetëm pjesëmarrësit në protestë, por edhe kalimtarë të rastit.

Rreth orës 18:30, në Rrugën e Durrësit u ngrit një barrikadë me kangjella metalike të shkulura nga trotuaret. Më pas, mobilje të nxjerra nga një zyrë mikrokredie pranë ambasadës së Vatikanit u përdorën për të ndezur një zjarr në mes të rrugës. Sipas raportimit të BIRN, policia nuk ndërhyri menjëherë për të penguar dëmtimin e biznesit apo për të shuar flakët, por avancoi drejt barrikadës pasi pjesa më e madhe e materialeve ishte djegur.

Gjatë përleshjeve, protestuesit hodhën gurë drejt autobotëve të policisë, ndërsa disa prej tyre përdorën kosha plastikë për të mbuluar granatat e gazit lotsjellës dhe për t’i hedhur më pas sërish drejt forcave të rendit. Në disa raste, era e fortë e ktheu gazin në drejtim të pozicioneve të policisë.

Protestuesit u shpërndanë edhe në rrugë të tjera të qendrës së Tiranës. Disa grupe u përplasën me policinë në Rrugën e Kavajës, Rrugën e Dibrës dhe Rrugën e Barrikadave. Një grup tjetër sulmoi hyrjen e Bashkisë së Tiranës dhe i vuri flakën një dere të ndërtesës me flakadanë.

Gjatë ndërhyrjeve u raportuan raste të goditjes së protestuesve, gazetarëve dhe kalimtarëve të rastit. Një studente e vitit të parë për regji në Universitetin e Arteve i tha BIRN se ishte goditur me shkop gome në krah, ndonëse nuk kishte marrë pjesë në përleshje. Ajo tregoi se gjatë ndërhyrjes kishte humbur edhe atletet.

Një nga incidentet më të rënda ishte rasti i 19-vjeçarit Ledjon Balla, i cili u filmua teksa transportohej nga efektivë të policisë pranë Parlamentit, megjithëse kishte këmbën e thyer. Pamjet shkaktuan reagime publike dhe Policia e Shtetit njoftoi më pas pezullimin nga detyra të katër punonjësve të policisë dhe shefit të Rendit në Komisariatin nr. 1 të Tiranës. Për incidentin u hapën hetime disiplinore dhe verifikime.

Sipas të dhënave të raportuara, të paktën 13 persona morën ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa Policia e Shtetit raportoi gjashtë efektivë të plagosur gjatë përleshjeve.

Protestat, të njohura fillimisht si “Revolucioni i Flamingove”, nisën në kundërshtim të projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Me kalimin e muajve, lëvizja u zgjerua dhe përfshiu kërkesa kundër korrupsionit dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Pjesëmarrësit kanë akuzuar qeverinë se ka shpërfillur kërkesat e tyre dhe i ka paraqitur protestat si pjesë të një fushate të nxitur nga jashtë vendit. Ndryshe nga marshimet e mëparshme, protesta e 13 tetorit përfshiu edhe deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, ndërsa në rrugë dolën studentë, gjimnazistë, aktivistë dhe të rinj që kishin marrë pjesë në tubime prej muajsh.

Një studente e identifikuar si Kejsi i tha BIRN se kishte marrë pjesë në protesta që nga dita e parë, duke shprehur pakënaqësi për gjendjen e universiteteve dhe korrupsionin. Sipas saj, mungesa e reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të përsëritura ka shtuar zemërimin e protestuesve.

Përshkallëzimi i dhunës shënoi një kthesë për lëvizjen, e cila prej fundit të majit ishte karakterizuar kryesisht nga marshime dhe tubime të përditshme. Megjithatë, disa prej aktivistëve shprehen se zemërimi është pasojë e mungesës së përgjigjes nga institucionet pas muajsh protestash.

Pas përplasjeve të së martës, mbeten të hapura pikëpyetjet mbi reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të studentëve dhe mënyrën se si autoritetet do të menaxhojnë protestat e ardhshme. Ngjarjet lanë pas të plagosur, dëme materiale dhe tensione të forta mes protestuesve dhe policisë. /BIRN

Etiketa: Kryesore1pershkallezimprotesta

Lajme të lidhura

Protestuesit sulmojnë me gurë Kryeministrinë, shtohen forcat e policisë
Aktualitet

Protestuesit sulmojnë me gurë Kryeministrinë, shtohen forcat e policisë

17:28 - 14/10/26
Protestuesit thyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë, futen në ambientet e brendshme
Aktualitet

Protestuesit thyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë, futen në ambientet e brendshme

17:03 - 14/10/26
Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma
Aktualitet

Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma

16:49 - 14/10/26
Para
Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma

Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma

Discussion about this post

TË FUNDIT

Protestuesit sulmojnë me gurë Kryeministrinë, shtohen forcat e policisë
Aktualitet

Protestuesit sulmojnë me gurë Kryeministrinë, shtohen forcat e policisë

17:28 - 14/10/26

Protestuesit janë spostuar nga Ministria e Financave drejt Kryeministrisë. Një numër mjaft i lartë i qytetarëve janë mbledhur dhe po...

Lexo më shumë
Protestuesit thyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë, futen në ambientet e brendshme

Protestuesit thyejnë derën e Ministrisë së Ekonomisë, futen në ambientet e brendshme

17:03 - 14/10/26
Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma

Përleshjet te Rruga e Durrësit/ Plagosen dy protestues, përfundojnë te Trauma

16:49 - 14/10/26
Protesta e studentëve në Tiranë përshkallëzohet në dhunë, gaz lotsjellës dhe barrikada në flakë

Protesta e studentëve në Tiranë përshkallëzohet në dhunë, gaz lotsjellës dhe barrikada në flakë

16:37 - 14/10/26
FSHF investon në energjinë e rinovueshme, KE miraton zgjerimin e sistemit fotovoltaik në “Air Albania”

FSHF investon në energjinë e rinovueshme, KE miraton zgjerimin e sistemit fotovoltaik në “Air Albania”

16:30 - 14/10/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com