Qytetarë dhe intelektualë të Vlorës janë mbledhur sërish këtë të shtunë në protestë kundër ndërtimit të muzeut hebraik, pavarësisht vendimit të gjykatës për pezullimin e punimeve.
Protestuesit kërkojnë që autoritetet të mos mjaftohen me ndërprerjen e përkohshme të ndërhyrjeve, por të anulojnë plotësisht projektin që parashikon ndërtimin e muzeut pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”.
Gjatë protestës, disa prej pjesëmarrësve kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e godinës së Muzeut Hebraik. Përballë kësaj situate, efektivët e Policisë kanë ndërhyrë për të ndaluar hyrjen e protestuesve teksa kanë shoqëruar disa prej tyre.
Protesta për Muzeun Hebraik nisi pas kundërshtimeve të një grupi qytetarësh ndaj projektit për ndërtimin e tij në qendrën historike të Vlorës. Protestuesit kërkojnë që muzeu të ndërtohet në një tjetër hapësirë, duke argumentuar se duhet të ruhet trashëgimia historike e qytetit, veçanërisht ajo e lidhur me Klubin Patriotik “Labëria”, të themeluar në vitin 1908.
Tubimi i sotëm është pjesë e një serie protestash që qytetarët kanë organizuar kundër këtij projekti. Pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se do të vijojnë kundërshtimin e tyre përmes protestave të tjera.
Një ditë më parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut hebraik në Vlorë, në zonën e monumentit pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”.
Megjithatë, vendimi gjyqësor nuk i ka dhënë fund kundërshtimit të qytetarëve, të cilët këmbëngulin në anulimin e plotë të projektit.
Protesta kundër muzeut hebraik është tubimi i dytë që zhvillohet këtë të shtunë në Vlorë, pas protestës së studentëve.










Discussion about this post