GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

“Në 5 ditë, janë dokumentuar 17 incidente ndaj gazetarëve” – AGSH: Në një rast, gazetarët u penguan në prani të Kryepolicit Skënder Hit

në Aktualitet, Lajme, Politikë
Kohë leximi: 7 min
A A
“Në 5 ditë, janë dokumentuar 17 incidente ndaj gazetarëve” – AGSH: Në një rast, gazetarët u penguan në prani të Kryepolicit Skënder Hit
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar dhunën, intimidimin dhe pengimin e gazetarëve gjatë protestës studentore në Tiranë, ku në pesë ditë, janë dokumentuar të paktën 17 incidente ndaj gazetarëve.

Në një deklaratë, AGSH thotë se incidentet përfshijnë sulme fizike, lëndime, kërcënime, pengim të raportimit, ndërhyrje në pajisjet e punës dhe vandalizim të tyre.

Organizata bën të ditur se shumica dërrmuese e rasteve lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa dy incidente kanë të bëjnë me sulme nga protestuesit ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike.

Në një rast tjetër, gazetarët janë penguar nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

“Shumica dërrmuese e incidenteve lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa dy raste kanë të bëjnë me sulme nga protestuesit ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike. Në një rast tjetër, gazetarët janë penguar nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Skender Hita.”, thekson AGSH, duke iu referuar rastit të gazetarit të News24, Renaldo Salianji.

AGSH e cilëson situatën alarmante, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e pengimeve kanë ndodhur në momentet kur gazetarët po dokumentonin veprimet e policisë ndaj protestuesve, përfshirë përdorimin e forcës dhe ndalimin e personave të mitur.

DEKLARATA E PLOTE:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e dhunës, intimidimit dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave studentore të zhvilluara në Tiranë nga data 13 deri më 17 tetor 2026.

Gjatë pesë ditëve të protestave, AGSH ka dokumentuar të paktën 17 incidente ndaj gazetarëve, operatorëve, fotoreporterëve dhe ekipeve mediatike, përfshirë sulme fizike, lëndime, kërcënime, pengim të raportimit, ndërhyrje në pajisjet e punës dhe vandalizim të tyre.

Shumica dërrmuese e incidenteve lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa dy raste kanë të bëjnë me sulme nga protestuesit ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike. Në një rast tjetër, gazetarët janë penguar nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Skender Hita.

AGSH vlerëson se përsëritja e këtyre incidenteve, për pesë ditë radhazi, përbën një situatë alarmante për sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e lirisë së medias në Shqipëri. Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e konsiderueshme e pengimeve kanë ndodhur pikërisht kur gazetarët po dokumentonin veprimet e policisë ndaj protestuesve, përfshirë përdorimin e forcës dhe ndalimin e personave të mitur.

Gazetarët nuk janë palë në përplasjet mes policisë dhe protestuesve. Ata janë dëshmitarë të ngjarjeve dhe përfaqësues të interesit publik. Pengimi i punës së tyre cenon drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është veçanërisht i shqetësuar nga incidenti i 17 tetorit, kur gazetarë të mediave të ndryshme u penguan nga persona të maskuar dhe të paidentifikuar, ndërsa përpiqeshin t’i drejtonin pyetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z.Skënder Hita, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Fakti që një incident i tillë ka ndodhur në praninë e drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjshmërinë institucionale dhe gatishmërinë e strukturave policore për të garantuar lirinë e raportimit. Një zyrtar publik mund të refuzojë një prononcim, por nuk mund të tolerojë pengimin apo intimidimin e gazetarëve nga persona që ndodhen pranë tij

AGSH thekson se incidentet e përsëritura nuk mund të trajtohen më si raste të izoluara. Numri, shpeshtësia dhe natyra e tyre kërkojnë një reagim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga institucionet përgjegjëse

AGSH kërkon:

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, identifikimin e efektivëve të përfshirë në incidentet e raportuara, marrjen e masave administrative dhe disiplinore kur konstatohen shkelje, si dhe garantimin e sigurisë së ekipeve mediatike gjatë protestave.

Nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria, hetimin e plotë, të pavarur dhe transparent të rasteve të raportuara të dhunës, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve, përfshirë përdorimin e forcës dhe të mjeteve policore pranë punonjësve të medias.

Nga Ministria e Brendshme, marrjen e masave konkrete për të parandaluar përsëritjen e incidenteve, përmes udhëzimeve të qarta dhe trajnimeve të strukturave policore mbi respektimin e lirisë së medias gjatë tubimeve publike.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sqarimin e identitetit, statusit dhe kompetencave të personave të maskuar që penguan gazetarët në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hitaj, më 17 tetor.

Nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta, respektimin e integritetit fizik dhe profesional të gazetarëve, si dhe ndalimin e çdo forme dhune, kërcënimi apo dëmtimi të pajisjeve mediatike.

AGSH kërkon gjithashtu që institucionet përgjegjëse të informojnë publikisht mbi verifikimet e kryera, procedimet e nisura dhe masat e marra për secilin incident.

 

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur gjatë këtyre protestave dhe do të vijojë dokumentimin e incidenteve, ndjekjen e tyre pranë institucioneve përgjegjëse dhe informimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe rrjeteve për mbrojtjen e gazetarëve.

Liria e medias nuk është një privilegj që jepet nga autoritetet, por një e drejtë themelore që ato kanë detyrimin ta respektojnë dhe ta mbrojnë.

DOKUMENTIMI I INCIDENTEVE SIPAS DITËVE

13 tetor 2026 – Dita e parë e protestave

Gjatë ditës së parë të protestave studentore përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, AGSH mori raportime të shumta për dhunë, kërcënime dhe pengim të punonjësve të medias nga efektivë të Policisë së Shtetit.

Anesti Bajramemaj dhe Heri Simota – A2 CNN

Gazetari Anesti Bajramemaj dhe operatori Heri Simota raportuan drejtpërdrejt dhunën e ushtruar ndaj tyre nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa po mbulonin protestën.

Fatime Halmusaj – Gazetare

Gazetarja Fatime Halmusaj pësoi dëmtime fizike pasi u godit në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga Policia e Shtetit gjatë përplasjeve me protestuesit.

Izmir Akulli – Dosja.al

Sipas denoncimit publik të drejtuesit të Dosja.al, kryeredaktori Izmir Akulli u dhunua nga disa efektivë policie pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa po dokumentonte me telefon dhunën ndaj një studenti. Ai u dërgua në QSUT për të marrë ndihmë mjekësore.

Xhoi Malësia – Top News

Gazetari Xhoi Malësia denoncoi se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i kishte drejtuar një granatahedhës të përdorur për bombula lotsjellëse, pasi ai ishte ankuar për hedhjen e gurëve në zonën ku ndodheshin gazetarët.

Bilanci i raportuar për 13 tetorin: 5 incidente, sipas bilancit fillestar të AGSH-së. Në përmbledhjen e mësipërme janë individualizuar katër episode; një incident tjetër i përfshirë në bilancin fillestar nuk është përshkruar veçmas në materialet e disponueshme.

14 tetor 2026 – Dita e dytë e protestave

Gjatë ditës së dytë, AGSH dokumentoi pesë incidente të tjera ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike. Katër prej tyre lidheshin me veprime të Policisë së Shtetit dhe një me sulmin e protestuesve të maskuar.

Enkelejda Mema – Euronews Albania

Gazetarja u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit për të filmuar dhe raportuar gjatë protestës.

Alice Taylor – Euronews Albania

Një efektiv policie i mori telefonin nga dora gazetares ndërsa ajo po fotografonte protestën. Pavarësisht se Taylor u identifikua si gazetare, efektivi refuzoi disa herë t’ia kthente pajisjen. Telefoni iu kthye pas disa minutash.

Elvin Kamberi – News24

Operatori mbeti i lënduar gjatë raportimit nga përplasjet mes policisë dhe protestuesve, në një moment kur efektivët hodhën një granatë zhurmuese drejt zonës ku ndodheshin operatorë dhe fotografë.

Bekim Bici – Ora News

Gazetari u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit për të filmuar zhvillimet gjatë protestës.

Ekipi i Report TV

Protestues të maskuar sulmuan dhe vandalizuan kamerën e ekipit të Report TV, duke penguar punën e medias

Bilanci i 14 tetorit: 5 incidente.

15 tetor 2026 – Dita e tretë e protestave

Gjatë ditës së tretë, incidentet vijuan si nga strukturat policore, ashtu edhe nga protestuesit.

Doriana Bezat – Top Channel

Gazetarja e Top Channel u sulmua nga protestues gjatë mbulimit të protestës në Tiranë. AGSH dënoi sulmin dhe kërkoi identifikimin e autorëve.

Jonida Mukja – Emisioni “Piranjat”

Gazetarja u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit ndërsa po raportonte nga protesta.

Albi Muçollari – Emisioni “Piranjat”

Sipas denoncimit të redaksisë, operatori u mor me forcë nga efektivë të policisë ndërsa po filmonte veprimet e tyre ndaj protestuesve, mes të cilëve raportohej se kishte edhe të mitur.

Felix Bilani – SYRI

Fotoreporteri denoncoi se persona të paidentifikuar, të veshur me rroba civile, të cilët ai i identifikoi si pjesëtarë të forcave të rendit, e penguan të filmonte ndalimin dhe shoqërimin me forcë të disa të miturve.

Bilanci i 15 tetorit: 4 incidente.

16 tetor 2026 – Dita e katërt e protestav

Elkier Bushkolaj – SYRI

Gazetari i SYRI-t u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit në zonën e Piramidës, ndërsa po raportonte drejtpërdrejt për ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve.

AGSH dënoi pengimin e gazetarit dhe kërkoi identifikimin e efektivëve të përfshirë dhe marrjen e masave përkatëse.

Bilanci i 16 tetorit: 1 incident.

17 tetor 2026 – Dita e pestë e protestaveGjatë ditës së pestë u dokumentuan dy incidente të tjera, njëri prej të cilëve në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gazetarja e Euronews Albania

Sipas pamjeve të publikuara nga Euronews Albania, efektivë të Policisë së Shtetit tërhoqën gazetaren dhe tentuan t’i merrnin telefonin ndërsa ajo po dokumentonte ndalimin e një personi gjatë protestës.

Pengimi i gazetarëve pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj

Gazetarë të mediave të ndryshme iu drejtuan Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për t’i kërkuar një prononcim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas raportimeve, Hitaj refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, ndërsa persona të maskuar dhe të paidentifikuar që ndodheshin pranë tij penguan fizikisht gazetarët.

AGSH kërkoi sqarimin e identitetit dhe statusit të këtyre personave, si dhe verifikimin e plotë të incidentit.

Etiketa: AGSHincidente; gazetarereagim

Lajme të lidhura

Rigers Sheqeri i IMT-së në krye të grupit që sulmoi me gurë studentët nga selia e PS-së
Aktualitet

Rigers Sheqeri i IMT-së në krye të grupit që sulmoi me gurë studentët nga selia e PS-së

16:22 - 18/10/26
Dhuna dhe reprezalja ndaj të rinjve! Policia jep detaje pse RENEA doli dje në protestë: Morëm një telefonatë se kishte persona të armatosur!
Lajme

Dhuna dhe reprezalja ndaj të rinjve! Policia jep detaje pse RENEA doli dje në protestë: Morëm një telefonatë se kishte persona të armatosur!

16:09 - 18/10/26
Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë
Aktualitet

Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë

15:52 - 18/10/26
Para
Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë

Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë

Discussion about this post

TË FUNDIT

Rigers Sheqeri i IMT-së në krye të grupit që sulmoi me gurë studentët nga selia e PS-së
Aktualitet

Rigers Sheqeri i IMT-së në krye të grupit që sulmoi me gurë studentët nga selia e PS-së

16:22 - 18/10/26

Gjatë protestës që po zhvillohet sot në Tiranë, vëmendja është përqendruar edhe te personat që ndodheshin brenda selisë së Partisë...

Lexo më shumë
Dhuna dhe reprezalja ndaj të rinjve! Policia jep detaje pse RENEA doli dje në protestë: Morëm një telefonatë se kishte persona të armatosur!

Dhuna dhe reprezalja ndaj të rinjve! Policia jep detaje pse RENEA doli dje në protestë: Morëm një telefonatë se kishte persona të armatosur!

16:09 - 18/10/26
Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë

Policia hedh gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Kryeministria, studentët rezistojnë

15:52 - 18/10/26
“Në 5 ditë, janë dokumentuar 17 incidente ndaj gazetarëve” – AGSH: Në një rast, gazetarët u penguan në prani të Kryepolicit Skënder Hit

“Në 5 ditë, janë dokumentuar 17 incidente ndaj gazetarëve” – AGSH: Në një rast, gazetarët u penguan në prani të Kryepolicit Skënder Hit

15:24 - 18/10/26
Tensionohet situata, protestuesit sulmojnë me gurë selinë e PS. Policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Tensionohet situata, protestuesit sulmojnë me gurë selinë e PS. Policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë me presion

15:00 - 18/10/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com