Gazetari Armand Shkullaku ka paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po u përgjigjet protestave të studentëve dhe qytetarëve me forcën e aparatit shtetëror.
Shkullaku deklaroi se, sipas tij, kryeministri nuk po kërkon një zgjidhje politike për krizën, por po mbështetet te policia për të ruajtur pushtetin.
“Ky njeri po reziston ndaj kryengritjes me forcën dhe dhunën e aparatit shtetëror, të cilin e ka bërë personal”, u shpreh gazetari.
Ai akuzoi Ramën se po përdor paratë publike për të shpërblyer efektivët që, sipas tij, ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve, ndërsa theksoi se kjo mënyrë reagimi rrezikon të prodhojë pasoja shumë më të rënda se përplasjet e deritanishme.
“Pra, të gjithë ata që shikojnë në rrugë, nuk janë më policë të shtetit shqiptar, janë policë të Edi Ramës. I vetmi ndryshim është që, nëse banditët policët i paguajnë me tangjente apo ushtarët e tyre i paguajnë me paratë që përfitojnë nga krimi, Edi Rama i paguan me paratë tona. Pra, ai paguan me paratë e shqiptarëve policët që të rrahin shqiptarët, për të mbrojtur zyrën e tij”, deklaroi Shkullaku.
Gazetari argumentoi se protestat nuk mund të trajtohen më thjesht si shprehje e pakënaqësisë qytetare, por si një krizë politike që kërkon zgjidhje.
Duke iu referuar takimit të ish-presidentit Ramiz Alia me studentët në fillim të viteve ’90, Shkullaku tha se pushteti duhet të zgjedhë rrugën politike për të shmangur përshkallëzimin.
Sipas tij, nëse ekzistonte më parë një mundësi teorike që Rama të largohej përmes një zgjidhjeje politike, zhvillimet e fundit e kanë bërë atë mundësi, në vlerësimin e tij, thuajse zero.
“Alternativa është që Edi Rama ose ikën i tërhequr zvarrë nga qytetarët, ose qytetarët do të vriten, do të masakrohen dhe këtu do të kemi një pushtet si ai i Birmanisë apo ndonjë vend tjetër, nëse kjo do të lejohet edhe nga Evropa”, u shpreh Shkullaku.
Ai paralajmëroi se vijimi i përplasjes mes policisë dhe protestuesve mund ta çojë vendin drejt një konflikti më të gjerë.
“Paralajmërojnë, për mua, konflikt, dhunë dhe përplasje civile. Që mundet, pse jo, të shkojë dhe deri në gjakderdhje, nëse ky vazhdon që t’i stimulojë policët me para për të goditur qytetarët e tyre”, tha gazetari.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij, Shkullaku ia kushtoi pamjeve të dhunës ndaj protestuesve, përfshirë të miturit. Ai përmendi raste ku, sipas tij, qytetarë janë goditur me shkopinj gome, janë tërhequr zvarrë dhe janë dhunuar gjatë ndërhyrjeve policore.
Gazetari paralajmëroi se pasojat e këtyre episodeve mund të shtrihen përtej momentit të protestës, duke ndikuar te familjarët e personave të lënduar dhe duke nxitur ndjenja hakmarrjeje.
“Një 13-vjeçar, edhe atë video që e kishin masakruar, një tjetër e godisnin me shkopinj gome 5-6 policë”, u shpreh ai, duke iu referuar pamjeve që ka komentuar gjatë emisionit.
Shkullaku argumentoi se, ndryshe nga mercenarët që largohen pas përfundimit të misionit të tyre, policët dhe qytetarët jetojnë në të njëjtën shoqëri, çka sipas tij e bën edhe më të rrezikshme dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.
“Këta që i paguan Edi Rama, kjo pagesë nuk shërben për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike, po kjo do të shërbejë për të prodhuar vëllavrasje, për të prodhuar hakmarrje dhe për të prodhuar përplasje civile”, përfundoi gazetari.









Discussion about this post