Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas burimeve, Ballukut i është njoftuar zgjatja e hetimeve nga ana e SPAK, deri më janar të 2027-ës.
Balluku akuzohet për Shkelje e barazisë në tendera për disa procedura prokurimi, përfshirë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës dhe tendera të tjerë (në të paktën 8 raste të hetuara), korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë: Për shkelje dhe favore në tendera në këmbim të ryshfeteve (përfshirë periudhën kur drejtonte “Albcontrol”).
Po ashtu ajo akuzohet dhe për pastrim të produkteve të veprës penale (pastrim parash).
SPAK i sekuestroi dy vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Vila e parë u zbulua në Dhërmi, me një vlerë prej 145 mijë eurosh, dhe u sekuestrua në muajin qershor. Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku e ka përfituar vilën si ryshfet për një tender në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh në kohën që kur ajo drejtonte “Albcontrol”.
Sipas organit te akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol, shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.
Ndërsa vila e dytë, në Palasë, iu sekuestrua në shtator. Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se e përfitoi vilën në Palasë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.
Sipas hetimit, investimi në vilë u krye nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë që SPAK e përllogarit nga 288,616 deri në 410,526 euro. Fillimisht, për ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë dyshohet se është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.
SPAK pretendon se Balluku e ka fshehur pronësinë reale duke e regjistruar vilën në emër të Igli Tares. Për këtë qëllim, sipas prokurorisë, është përdorur edhe një kontratë e dyshuar si fiktive shitjeje, e datës 12 shtator 2025.









Discussion about this post